Transmetuar më 16-01-2020, 09:40
Foto ilustruese

“Mbikalimi” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, duke zbuluar një sërë vjedhjes në makina dhe biznese. Pas hetimeve disa mujore, efektivët e policisë Nr.6, u bë arrestimi i një 19-vjeçari i cili përdorte një mjet të vjedhur dhe targa të vjedhura tentoi të largohej, por u prangos gjatë ndjekjes në mbikalimin që çon drejt Kamzës.

Në vijim të gjurmimit për identifikimin e autorëve të disa vjedhjeve të kryera në harkun kohor të shtatë muajve të fundit, rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Sokrat Miho”, tek pallatet “Fratari”, uniformat blu kanë konstatuar një djalë, në tentativë për të vjedhur në një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit M. K.

Efektivët e policisë kanë ndërhyrë duke i bërë thirrje të riut për të ndaluar, por 19-vjeçari është larguar me shpejtësi me një automjet “BMW” duke u ndjekur nga uniformat blu.

Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje duke bërë të mundur bllokimin e mjetit bashkë me të riun, pranë mbikalimit. Nga verifikimet e momentit rezultoi se mjeti drejtohej nga 19-vjeçarin E. M., banues Kamzë, Tiranë, ndërsa automjeti me të cilin ai qarkullonte ishte vjedhur në Elbasan dhe targat ishin vjedhur në Durrës.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, u bë e mundur zbardhja e një sërë vjedhjesh, të dyshuara se janë kryer nga i riu, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre, konkretisht:

-Më datë 17.06.2019, gjatë orëve të natës në autostradën Tiranë-Durrës, kanë vjedhur një shumë lekësh të xhiros ditore në ambientet e subjekti në administrim të shtetasit G. S.

-Më datë 01.07.2019, gjatë natës, në rrugë dytësore Kashar, kanë vjedhur me thyerje zyrat e një kompanie në administrim të shtetasit B. Rr., ku kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi të konsiderueshme produkte ëmbëlsirash.

-Më datë 17.08.2019, në orët e vona të mbrëmjes, në Fushë Mëzez, kanë vjedhur me thyerje shoqërinë në administrim të shtetasit I. L., ku kanë marrë rreth 100 kg materiale bronzi.

-Më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë vjedhur zyrën e financës së një shoqërie në administrim të shtetasit O. Q., ku kanë marrë shumën e xhiros ditore prej 400 mijë lekësh të reja, duke kanosur me leva në duar rojet e sigurisë.

-Po më datë 10.11.2019, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Ali Kelmendi”, kanë tentuar të vjedhin zyrat e një biznesi tjetër, në administrim të shtetasit A. P.

-Më datë 15.12.2019, në orët e para të mëngjesit, në Fushë Mëzez, në autostradën Tiranë-Durrës, kanë vjedhur në ambientet e një biznesi ne administrim të shtetasit A. B., një sasi aparatesh celulare të markave të ndryshme.

Në bashkëpunim me prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre personave. Efektivët e policisë vijojnë punën për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të bashkautorëve të tjerë të këtyre vjedhjeve, për të cilët nuk bëjmë me dije të dhëna për arsye hetimi.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vjedhja” e mbetur në tentativë. /a.y/noa.al