Transmetuar më 16-01-2020, 10:23

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Lenovo”, ka vënë në pranga një person të dyshuar për së paku tre vjedhje të pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit.

Bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative dhe pas një pune hetimore, uniformat blu bënë kurorëzimin e operacionit duke çuar në pranga E. C., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore e tri rasteve të vjedhjes së pajisjeve elektronike, laptop, nga ky i dyshuari në dyqane të ndryshme të kryeqytetit, ndërkohë që një rast mund ta shihni në pamjet më poshtë.

I dyshuari akuzohet se më 30 dhjetor, ka vjedhur një laptop, në dyqanin e një qendre tregtare; më 10 janar ka vjedhur një laptop, në një dyqan në rrugën “Luigj Gurakuqi” dhe më 13 janar ka vjedhur një laptop, në një dyqan në Rrugën e Durrësit.

Ndaj 34-vjeçarit hetimet janë në vijim për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jetë i përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”. /a.y/noa.al