Transmetuar më 16-01-2020, 10:36
"Piku", Kejvi Hysa

Hysni Rama, i cili vrau me plumb dhe groposi trupin e Elion Hysës në një parcelë të mbjellë në hashash është dënuar me 20 vite burg.

Pas ngjarjes së rëndë në korrik të vitit 2018, Rama u vëtëdorëzua në policinë e Krujës.

Fillimisht u dënua me 30 vite burg nga Gjykata e Krujës, por dënimi iu ul pasi pranoi pjesëmarrjen në krim dhe groposjen e Elion Hysës në arën e mbjellë me hashash.

Hysni Rama hyri në gjykim me procedurë të shkurtuar dhe dënimi iu ul me 10 vite, shkruan ‘shqiptarja.com’.

Si ndodhi ngjarja

Viktima Hysa, që ishte në kërkim policor për vrasjen e Edmond Theodhorit në Sarandë, qëndronte krejt i lirë në Zonën e Laçit, Fushë-Krujës dhe Tiranës, qytet ku kishte marrë dhe një shtëpi me qira. Ky fakt i konstatuar gjatë hetimeve të prokurorisë së Krujës, tregon edhe një herë tjetër se strukturat policore kanë qenë në gjumë të thellë ose nuk kanë dashur ta arrestojnë. Hetimet e kryera nga prokuroria e Krujës tregojnë se viktima njihej me disa emra në zonë si Kejsi Hysa, Elion Hysa dhe Piku Hysa, ose “Piku Fajdexhiu”.

34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, qëndronte i lirë në këtë zonë, dhe se ndalonte askush edhe pse bënte aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”. Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij.

Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajtje, nuk ka qenë e suksesshme, pasi sipas pretendimit të Hysni Ramës, sasia e drogës i ishte vjedhur nga persona të paidentifikuar. Kur është vënë në dijeni të këtij fakti, Kejvi Hysa, është tërbuar dhe ka filluar presionet shantazhet dhe kërcënimet për vrasje, nëse Rama nuk i jepte 15 mijë euro.

Ata kanë lënë një takim të fundit për t’u sqaruar dhe dhënë një pjesë të parave, dhe Hysni Rama i ka thënë se kishte arritur të grumbullonte vetëm 1 milion lekë të vjetra, Kejsi është revoltuar dhe ka bërtitur “…me kë tallesh ti….?” dhe pas kësaj ka filluar ta shajë me fjalë fyese në adresë të familjes. Në këtë moment janë përleshur dhe Kejsi, ka nxjerrë pistoletën ja ka vënë në kokë dhe e ka detyruar të shkojë në drejtim të parcelës, ku ishte kultivuar bima narkotike. Mbasi ka ecur disa metra sipas të ndaluarit është dëgjuar një e shtënë arme dhe Kejsi ka rënë në tokë. Në këtë moment ka parë Agronin me një pushkë në dorë. Duke ju drejtuar Agronit i ka thënë “…ç’na bëre, ku do shkojmë tani…?” por Agroni i është përgjigjur “…Po tregove do të vras edhe ty dhe fëmijët se po e morën vesh njerëzit e Kejsit, do të na vrasin të dyve….”.

Në këto kushte kanë rënë dakord të dy që kufomën ta groposnin./noa.al