Transmetuar më 16-01-2020, 11:32

Presidenti Ilir Meta uron që marrëveshja e arritur për reformën zgjedhore, të jetë fillim i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë.

Në një intervistë televizive kreu i shteti thotë se viti që kaloi ishte me shumë zhgënjime, të paktën për Shqipërinë, por sidoqoftë nuk mund të thuhet se ishte një vit i humbur.

“Në rast se dëshirojmë të mësojmë nga gabimet dhe unë shpresoj se të gjithë ta kenë kuptuar se Shqipëria nuk ka më nevojë për vite të humbura. Në këtë drejtim shpresoj se edhe një marrëveshje e arritur për çështjen e reformës zgjedhore të jetë thjesht fillimi i një reflektimi të thellë dhe i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë, por edhe që ndihmojnë për një performancë tjetër të shqiptarëve në tërësi, në planin e qeverisjes dhe në planin e afirmimit ndërkombëtar”, u shpreh Meta.

Lidhur me reformën zgjedhore ai shtoi se ka një dakordim për ta përmbyllur këtë proces deri më 15 mars me konsensus, duke nënvizuar se përgjegjësia është e të gjitha subjekteve politike.

Por ai veçoi se përgjegjësia është e mazhorancës, e cila tha ai, kërkon të ushtrojë pushtete që dalin jashtë kufijve që ia përcakton Kushtetuta qeverisë dhe që dëmtojnë rëndë parimin e balancës dhe kontrollit të pushteteve që është i domosdoshëm për një funksionim demokratik të shtetit.

Në këtë linjë nënvizoi se përgjegjësia është edhe e opozitës, për të cilën thotë se zgjodhi rrugën e deligjitimimit të institucioneve përmes largimit nga parlamenti, përmes mospjesëmarrjes në zgjedhjet vendore.

Lidhur me nismën e mazhorancës për shkarkimin e tij, Meta tha se mazhoranca ka vetëm një alternativë, e cila sipas tij, fakt është burimi real i krizës që kemi në Shqipëri: alternativën e frikësimit të të gjithëve dhe jo të ushtrimit të përgjegjësive të saj në mënyrë të përgjegjshme, kushtetuese, demokratike dhe luajale.

“Mazhoranca e di shumë mirë se mua nuk më shkarkon dot. Për arsye se unë, jo vetëm nuk kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse një president mund të nxirrte një akt, pra nxjerr një dekret sikurse nxjerr parlamenti një ligj apo qeveria nxjerr një vendim, dhe vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën, kjo nuk është kurrë një shkak për shkarkim, përkundrazi. Për më tepër që Kushtetuta e Shqipërisë e mbron në mënyrë të jashtëzakonshme Presidentin për shkak se Presidenti është përfaqësues i interesave të shtetit. Dhe padyshim që kushtetutëbërësi e ka parashikuar që Presidenti për arsye nga më të ndryshmet mund të jetë nën presione nga të forta, që duhet të mbrojë një interes shtetëror apo kombëtar”, tha kreu i shtetit.

Ai deklaroi se zgjedhjet i përcakton me dekret vetëm Presidenti dhe se nuk ka në Shqipëri një institucion tjetër që mund të përcaktojë, ose mund të vendosë për çështjen e zgjedhjeve.

Sipas tij, dekretin e Presidentit mund ta vërë në diskutim vetëm Gjykata Kushtetuese, por se Gjykatë Kushtetuese nuk ka pasur.

Ai shprehu shqetësim për rrugën e gabuar të mazhorancës, e kryetarit të saj, që praktikisht tha ai, ka vënë në diskutim legjitimitetin e të gjitha institucioneve në vend. /a.y/noa.al