Transmetuar më 16-01-2020, 11:54

Partia Demokratike denoncon një tjetër kryebashkiak socialist, për të cilin thotë se është i dënuar me dënim të formës së prerë.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi se kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ka qenë i dënuar dhe për këtë arsye duhet ti hiqet mandati. Sipas tij, Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.

“Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje, dhe sipas ligjit për dekriminalizimin, i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik. Ky është rasti i pestë pas atij të Shkodrës, Vorës, vaut të Dejës dhe Mallakastrës, që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin. Ky është vendimi i Gjykatës që konfirmon dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë të Agron Malajt, të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë e Matit”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të veprojë pa asnjë vonesë me administrimin zyrtar të vendimit të Gjykatës së Matit dhe për heqjen e menjëhershme të mandatit për Kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj.

Bardhi tha në mbyllje se sot është koha që ligji të veprojë, dhe është koha që Edi Rama të mos fshihet pas Agron Malajt, Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetit, Agim Kajmakut apo Mark Babanit por të dalë dhe të marrë përgjegjësi dhe t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse alternativa e tij e vetme është krimi. /a.y/noa.al

Vendim denimi Agron Malaj by Noar Noari on Scribd

Kerkesa e PD per Agron Malaj, derguar ne Prokurori by Noar Noari on Scribd