Transmetuar më 16-01-2020, 12:46
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Beratit i koduar “Vëzhgimi” ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, duke vënë në pranga një person dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy persona përpunonin dhe shpërndanin lëndë narkotike të dyshuar heroinë, efektivët e policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor.

Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Barrikada”, në Berat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i E. I., 26 vjeç, banues në Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 35 vjeç, banues në Berat, i cili mundi të largohej në momentin ndërhyrjes së shërbimeve të policisë.

Gjatë kontrollit fizik të 26-vjeçarit dhe në banesën e tij, efektivët e policisë gjetën 16.5 gramë lëndë narkotike heroinë, një peshore të vogël elektronike dhe 8 pilula metadon.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al