Transmetuar më 16-01-2020, 16:22

Përfundojnë hetimet për ish kryetarin e bashkisë së Vorës Agim Kajmaku. Mësohet se prokurorët i kanë dorëzuar palës mbrojtëse akuzat të cilat janë ngritur ndaj klientit të tyre Agim Kajmaku.

Ndaj tij janë ngritur akuzat e "Falsifikim vulash" dhe "falsifikim i dokumenteve zyrtare". Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit që prej datës 9 nëntor 2019, ndërkohë kanë dështuar më shumë se 10 operacione për kapjen e tij.

Akuzat i janë komunikuar avokatit të Kajmakut Isuf Shehu, duke qenë se ai vijon të jetë në arrati që prej nisjes së verifikimit që erdhi pikërisht pas akuzave të Partisë Demokratike.

Ishte Prokuroria e Përgjithshme ajo që kreu verifikimet ku doli me konkluzionet se Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin dhe më pas hetimin në Greqi me një emër tjetër, Jorgo Toto, duke bërë që ai të jetë në kushtet që e kap ligji i dekriminalizimit.

Por edhe pse gjykata greke e shpalli të pafajshëm në lidhje me akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për drejtësinë shqiptare Kajmaku nuk i shpëtoi dot problemeve për shkak se arrestimin e vitit 2003 duhet ta kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit  që të gjithë zyrtarët duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve para se të hyjnë në garën për zgjedhje./b.l/noa.al/