Transmetuar më 16-01-2020, 18:09

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore i ngritur dy ditë më parë me dakordësinë e të gjitha palëve politike si parlamentare dhe jashtë parlamentare zhvilloi pasditen e sotme mbledhjen e saj të parë.

Oerd Bylykbashi pas takimit të Këshillit Politik deklaroi se tashmë detyra e ekspertëve është që të ecin sa më shpejt për përgatitjen e draftit.

"Këshilli i autorizoi ekspertët që të operojnë me konsensus deri në momentin e miratimit dhe ajo që bëmë të ditur, qëndrimi i opozitës do të bëhet publik, kryesore është prioriteti i çështjeve, sipas OSBE; lufta kundër shit blerjes së votave, abuzimi me listat, përdorimi i policisë, por edhe çështjet e tjera pa asnjë përjashtim duke pasur parasysh arritjen e standardeve të OSBE-së. Ekspertët të ecin shpejt për hartimin e reformës", tha Bylykbashi.

Nga ana e tij bashkë-kryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh për mediat se prioritet i ekspertëve të hartimit të draftit janë çështjet e administrimit të zgjedhjeve, ndërsa në plan të dytë vendosi ndryshimin e sistemit duke e lënë derën të hapur.

"Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të  fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime të saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis", u shpreh Gjiknuri

Ndërsa më herët bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore Rudina Hajdari ka deklaruar pas takimit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore se nuk është përjashtuar ndryshimi i sistemit, ndërsa theksoi se roli i saj si bashkëkryetare mund të prevalojë në produktin final.

"U diskutua fakti se roli jonë është kyç në këtë tryezë tregon se ne do japim kontributin tonë. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese  veto në produktin final. Ajo që është e rëndësishme për ne është se produkti final duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme një konsesus. Edhe ndryshimi i sistemit është përmendur edhe nga palët e tjera.

Ne duhet të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjitha palët. Shqiptarët duhet të zgjedhin ata njerëz që duan. Unë mendoj se hapja e listave do ishte shumë pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Takimi ishte i sukesshëm. Ne do takohemi, ndoshta edhe përditë sepse duhet punë intensive dhe transparente. Është e vështirë për t’iu shmangur detyrave politike", deklaroi Hajdari./b.l/noa.al/