Transmetuar më 16-01-2020, 20:27

Lajmi i ndarjes nga jeta të një prej figurave dhe personaliteteve më të shquara të kinematografisë shqiptare, Xhevdet Ferrit, përveç dhimbjes së familjarëve dhe të afërmeve, ka tronditur miq, shokë dhe dashamirës të shumtë të artit dhe filmit shqiptar.

Xhevdet Ferri u nda sot nga jeta pasi vunte nga një sëmundje pulmonare në mushkëri.

Aktori Ndriçim Xhepa, mik i ngushtë me Xhevdet Ferrin, bëri me dije se dje i shkoi për vizitë në spital dhe e pa në një gjendje shumë të rëndë por nuk ja mori mendja se aktori do të vdiste pas 24 orësh.

Ndriçim Xhepa thotë se është i pikëlluar pasi në dhjetor e kishte takuar për herë të fundit kurse rrugëtimin si aktorë e kanë pasur së bashku pasi përkojnë të së njëjtës kohë.

”Nuk është se nuk i kam ditur gjërat që në pranverë. Por besoj se mund të jem personi i fundit nga njerëzit e artit që e kam parë mbrëmë".

"Unë kur mora njoftimin jo më larg se dje në drekë që nuk ishte mirë. Isha dje deri në 9 në spital. Bënë një tolerancë mjekët, një mjek reanimator. Ndoshta bëra mirë, ndoshta keq pasi pashë në gjendje të keqe. Mjeku tha që kishte shpresa shumë të vogla".

"Më shpjeguan gjithçka, me frymëmarrje të drejtuar. As 24 orë nuk janë mbushur kur e kam parë. Fola sot me të shoqen pasi kishim një dëshirë që Sanatoriumi të bëntë një përpjekje, por fundi është siç po bisedojmë dhe s’më erdhi në mendje që do vinte kaq shpejt, brenda 24 orëve".

Ndriçip Xhepa tha se "ishim shumë miq bashkë, jemi ata aktorë që përkojmë si kohë dhe si moshë. Jemi aktorët e fillimit të punës në teatër, dhe në kinema. Xhoda kontribuoi në shumë filma, është 2-3 vjet më i ri se unë".

Ai shtoi se me Ferrin ka punuar shumë tepër me të se sa të tjerët, si tek ‘Vendimi’ te ‘Dasma e Sakos’, te ‘Delegacioni’, te ‘Treni niset në 7 pa pesë’.

– "Kemi shkuar bashkë në Përmet kur xhiruam filmin e fundit. Kemi bashkëpunuar edhe tek Universiteti pasi ka qenë dekan i Arteve ndërsa unë isha pedagog i jashtëm. Në 96’ kemi qenë bashkë deputetë në parlament, pavarësisht kohës së keqe kur përkoi dhe pse ishte parlament cilësor", u shpreh Ndriçim Xhepa.

"Kur e kam uruar në verë që u bë gjysh e shijoi dhe e mori këtë lumturi nga e bija. Kemi punuar bashkë, kemi jetuar bashkë dhe ka qenë një kënaqësi”- rrëfeu në ditën e ndarjes nga jeta të Xhevdet Ferrit aktori Ndriçim Xhepa.

Ferri lindi në Durrës, më 26 Nëntor 1960. Përgjatë karrierës së tij brilante, ai u dallua për një individualitet të veçantë aktoresk. Ai ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e në teatër dhe pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit.

Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i trimit në filmin "Përrallë nga e kaluara" në krahë të aktorit Robert Ndrenika. Më 1982, ai diplomohet në Akademinë e Arteve në degën ‘Dramë’ dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë së aktorit në po këtë Akademi. Karriera e tij akademike vijoi si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie.

Në vitin 1985 do të bëhet i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin "Hije që mbeten pas". Në mishërimin që i bëri figurës së Gorit në filmin tjetër "Dhe vjen një dite", me të cilin u nderua me ‘Medaljonin e Festivalit’, më 1986, bien në sy cilësi të tjera interpretative si natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia shoqëruar nga karakteri drejtpërdrejt i të vepruarit.

Nga vitet 1995-1999 ishte Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Mes viteve 1999-2001 ai shërben si Drejtor i Teatrit Kombëtar. Z. Ferri ishte i specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor. Në vitin 2004, ai u bë bashkëthemelues i ‘Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë’, duke qenë edhe kryetari i parë i kësaj shoqate.

Filmi i parë i Xhevdet Ferrit ka qenë kur ai ishte akoma një student.

Ndërsa, i fundit ka qenë filmi “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe ai i Artanit ne "Skëterrë 43`" (1980); Pali ne "Besa e kuqe" (1982); Sandri ne "Vendimi" (1984); trimi ne "Përralle nga e kaluara" (1987); Martini ne "Treni niset ne 7 pa pese" (1988); Gjon Kadri në "Vitet e pritjes" (1990).

Me rolin e Sakos në filmin "Dasma e Sakos" (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit. Ai ishte bashkëshorti i aktores Rozeta Ferri, me të cilën ka luajtur në shumë filma si "Dhe vjen një ditë", "Vitet e pritjes", "Gjoleka djali i Abazit", etj.

/NOA.al