Transmetuar më 16-01-2020, 23:04

Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti debatoi ashpër me analistin Andi Bushati.

Debati mes tyre në "Open", Top Channel, nisi kur Bushati ironizoi parlamentin shqiptar.

“Edi Rama nuk është politikan idiot. Atij nuk i prishet pushteti se doli nga pallati i Gramozit dhe shkoi te pallati i Enverit, sepse Pallati i Kongreseve është bërë në kohën e Enverit", tha Bushati.

"Edi Rama grin sallatë për 4 vite, në teatrin e kukullave dhe kur vjen dita e zgjedhjeve fut Vangjush Dakon, Avdylaj, Gjiknurin dhe kryen punë. Ai vetëm për një ditë punon dhe pastaj bën gallatë", shtoi më tej analisti Andi Bushati, por ndërhyri deputetja Gjylameti ku i tha atij të mos fyente.

“Do ju kërkoja mos të fyeni kolegët. Aty është Parlamenti i Shqipërisë dhe jo një teatër klounësh. Nuk mund të fyeni shqiptarët. Nuk bëhen gallata por punë, paçka se ka probleme”, tha Gjylameti.

Analisti Andi Bushati dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, u përfshinë gjithashtu në një debat mbrëmjen e sotme në emisionin “Open”, ndërsa flitej për marrëveshjen mes pozitës dhe opozitës.

"Nuk jemi tërhequr nga qëndrimet tona. Ne do çojmë në burg të gjithë ata që kanë vjedhur vota. Do të vazhdojmë me qëndrimet tona. Ne nuk po themi se regjimi është bërë më i mirë, por është dokumenti i Bundestagut që kërkon këtë marrëveshje”, tha Gjata.

"Po lëpini atë që nuk thuhet, se s’dua të prish fjalori"- ndërhyri Bushati.

"I lëmë metaforat. Unë nuk  ndërhyra kur folët ju’- iu kundërpërgjigj Gjata analistit.

/NOA.al