Transmetuar më 17-01-2020, 08:24

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu mbështetjen e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një takimi me homologun kroat, Andrej Plenkovic.

Në një konferencë shtypi me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Angela Merkel tha ndër të tjera se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kancelarja gjermane u shpreh pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ajo ndër të tjera.

Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane./dw/