Transmetuar më 18-01-2020, 13:38

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se se vendimin për mandatarin për Kryeministër e ka nënshkruar dhe se tashmë po pret që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ta pranojë atë.

Në një prononcim për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se Kosova nuk do të mbetet e bllokuar edhe shumë gjatë sepse vullneti i njerëzve të Kosovës është më i madh se çdo lider edhe se pretendimi për të mbajtur peng një shtet dhe një popull.

“Ajo që dua të ndodh është respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur me 6 tetor. Partitë politike në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor duhet t’i japin zgjidhje këtij procesi në mënyrë që të implementohet vullneti qytetar. Adresa e zgjidhjes së këtij ngërçi është ende tek partitë politike. Në momentin kur të kalojë në një fazë tjetër, Presidenti i vendit duke ushtuar të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore, natyrisht se do të punojë me tërë potencialin dhe në konsultim me partitë politike që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaci.

Ai deklaroi se nuk duhet të hyjnë në një fazë ngërçi apo një refuzimi për mos-ndërtimin e institucioneve sepse njerëzit kanë votuar të kenë institucione dhe jo për të krijuar vakuume të panevojshme.

Më tej bëri me dije se letrat ia ka dërguar kryetarit të partisë së parë në Kosovë, dhe Albin Kurti.

“I kam dhënë edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e Qeverisë. Takimi ynë që ka qenë në zyrën time ka qenë një takim i një vullneti të mirë. Por, në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdojë të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar, ku Albin Kurti nominohet si kandidat për Kryeministër në tavolinën time. Nënshkrimi im për vendimin për mandatar ekziston dhe është në tavolinën time”, tha Thaçi.

Ai shtoi se pret që Kurti të pranojë zyrtarisht nominimin si kandidat për Kryeministër.

Në këtë drejtim tha se nëse nuk e pranon, “Është e drejtë e tij e refuzimit publik dhe zyrtar se nuk është i gatshëm dhe kjo mbetet në përgjegjësinë e respektimit të vullnetit të elektoratit”. /a.y/noa.al