Transmetuar më 19-01-2020, 12:40

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një dalje nga selia blu, ish-deputetja e PD-së Orjola Pampuri e etiketoi Veliajn si kryebashkiak mashtrues sa i takon mensave sociale për personat në nevojë. Sipas PD-së, është refuzuar ushqimi për të pastrehët pa ngritur më parë një komision verifikimi dhe pa dorëzuar shumë dokumenta.

“Erion Veliaj është kryebashkiaku mashtrues dhe me dy fytyra i Tiranës. Njërën fytyrë e ka për propagandën e shtrenjtë në ekrane, fytyra tjetër është ajo më pranë të vërtetës, shpërfillja e më të pamundurve deri në refuzimin e një pjate supë. Dyert e qytetit nuk janë të hapura për qytetarët e vet më në nevojë, nëse ata nuk kanë dorëzuar më parë një mal me dokumenta në shkëmbim të nëj pjate supë. Faktet e ofruara nga emisioni investigativ “Boom” janë të pakundërshtueshme. Të sigurosh një pjatë në mencat sociale të Erion Veliajt është më e vështirë dhe ka më shumë burokraci sesa të gjesh një punë”, shprehet Pampuri.

Më tej ajo theksonj se “Në rrugët e Tiranës në këto ditë të ftohta dimri gjen plot njerëz që enden rrugëve, të pamundur për t’u ushqyer apo për të siguruar një çati ku të shmangin të ftohtin. Ata i duhen kryemashtruesit të Tiranës vetëm për festa, që të verë përparësen, të marrë garuzhden, e të shesë një realitet të rremë, kur, në të vërtetë, pjatën e ngrohtë e pengon një mal me burokraci.

A mund të presë uria, nevoja për ushqim, kohën për të plotësuar dokumentacionin? A mundet një njeri që troket për të kërkuar një pjatë supë, të gënjejë për gjëndjen e tij, ndërsa punonjësja nuk i ofron ushqimin dhe kërkon të investigojë më tej për të përmes një komisioni!”

Sipas Pampurit, dikush që troket për t’u ushqyer në një mencë sociale do të thotë se ka prekur fundin dhe vendimi më i njerëzishëm është të mos refuzohet.

“Banorët e Tiranës duhet ta mbajnë mend mirë këtë trajtim johuman të atyre që vuajnë për një copë bukë në kuptimin e parë të fjalës. Kjo është fytyra e vërtetë e Erion Veliajt, fytyra e zezë e një kryemashtruesit të pashpirt që kujdeset vetëm për t’i dhënë leje ndërtimi trafikantëve të drogës, klientëve të vet dhe të Edi Ramës”, tha ajo./b.l/noa.al/