Transmetuar më 19-01-2020, 15:50

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi është ndalur sot në Elbasan, ku ka vijuar takimet me strukturat e partisë së tij.

Nga Elbasani, Bardhi tha sot se në zgjedhjet e para të lira në Elbasan, PD fiton mbi 55% të votave.

Ai shtio se qytetarët e këtij qarku ia kanë dalë të durojnë presionin nga bandat në pushtet.

Përmes një statusi në Facebook, Bardhi tha se "në qarkun e Elbasanit i gjeta demokratët të angazhuar në të gjitha nivelet e partisë për të bërë për vete sa më shumë qytetarë në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh."

Statusi i plotë i Gazment Bardhit:

Demokratët e këtij qarku, megjithëse nën presionin e bandave të lidhura me pushtetin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Qazim Sejdinit, ia kanë dalë të rriten e të forcohen dhe në zgjedhjet më të para të lira e të ndershme, bashkë me aleatët tanë, ne të fitojmë në qark më shumë se 55% të votave.

Nënat dhe baballarët e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të mos i shohin fëmijët e tyre të ikin si refugjatë, pse bandat e pushtetit nuk i lënë të ngrenë kokën. Të rinjtë e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të ndërtojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre, ku vlerësohet aftësia, ndershmeria dhe jo servilizmi e hajdutëria!

Nga takimet që pata në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh jam plot besim që sëbashku do t’ia dalim!