Transmetuar më 19-01-2020, 16:39

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ndodhet për një vizitë në Kosovë, ku është ndalur fillimisht para memorialit të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

"Vizioni i Tij euroatlantik për Kosovën, kontributet e jashtëzakonshme për paqe, liri, demokraci, për fqinjësi e bashkëjetesë në rajon janë shembuj frymëzimi, përherë aktuale", tha Meta.

"Historia e re e Kosovës dhe e kombit shqiptar ka në themelet e veta emrin dhe veprën e ndritur të Presidentit Rugova" shtoi kreu i shtetit, i cili më vonë vizitoi në Prishtinë edhe familjen e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës.

"Përherë kënaqësi të takoj në Prishtinë familjen e dashur dhe të respektuar të Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova".

"Në bisedën e ngrohtë dhe shumë miqësore ndamë plot kujtime të shtrenjta për angazhimin jetësor të Presidentit Rugova për Kosovën Republikë, në paqe, të lirë, të pavarur e demokratike, me orientim të qartë properëndimor, në bashkëpunim e fqinjësi të mirë në rajon," – nënvizoi Presidenti Ilir Meta.

/NOA.al