Transmetuar më 19-01-2020, 17:32

Shoferi që goditi për vdekje shqiptarin Franko Gjinaj, 35 vjeç, banues në provincën e Cuneo, po ngiste mbrëmë një makinë "Volkswagen" në zonën e Torinos.

Kjo është ajo që ka dalë nga hetimet paraprake të policisë, të cilët studiuan vendin ku ndodhi aksidenti, përgjatë rrugës provinciale midis Stupinigi dhe Orbasano.

Grupi hetimor tha se gjeti aty disa fragmente të makinës, transmeton NOA.al.

Policia ka ngritur pika kontrolli të shumta. Viktima ishte goditur gjatë kohës që po kalonte rrugën, në mes të natës, në një vend pa ndriçues ose në mungesë të një vendkalimi për këmbësorët.

Zona është e njohur për frekuentimin e pazarxhinjve, prostitutave dhe zhigolove. Disa javë më parë aty pati një tjetër aksident fatal: në atë rast, megjithatë, shoferi i makinës u ndal, por vetëm ditën tjetër ishte e mundur të gjendej trupi i viktimës, që kishte përfunduar në një hendek.

Kryekomunari i zonës ka ngritur edhe shqetësimin, pas aksidentit ku humbi jetën shqiptari.

"Është një rrugë e njohur për fat të keq, për numrin e aksidenteve dhe ne duhet të veprojmë për të parandaluar të tjera tragjedi," – tha kryetari i komunës së Nichelino, Giampiero Tolardo.

Në vendin ku u aksidentuar shqiptari, vihen re dy probleme që janë, "shpejtësia dhe ndriçimi", kështu që Tolardo thotë se "duhet të vazhdojmë në këtë drejtim, duke investuar për kamerat e shpejtësisë dhe shtimin e llambave në rrugë, por besoj se aq më shumë duhet të shikojmë situatën në një kontekst më të gjerë dhe të gjejmë zgjidhje".

/NOA.al