Transmetuar më 19-01-2020, 22:18

Dy persona burrë e grua kanë mbetur të plagosur me armë zjarri sonte në Tiranë, në rrethana ende të paqarta të një grabitjeje të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në rrugën "Njazi Meka", në zonën e Alliasit, raporton noa.al duke cituar zyrtarë policie në vendngjarje.

Një çift bashkëshortësh, burrë dhe grua, janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda një banese, dhe shkaku i plagosjes dyshohet grabitja. Dy bashkëshortët merren me tregti. Ata kanë disa dyqane në Tiranë.

Policia sqaroi se ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 dhe nga të shtënat janë plagosur çifti i bashkëshortëve Petrit Laze, 61 vjeç dhe Afërdita Laze rreth 60 vjeçe, të cilët u transportuan menjëherë drejt spitalit.

Petrit Laze raportohet në gjendje më të rëndë pas mbërritjes në spital, pasi ka marrë një plumb në bark.

Gruaja e tij ka marrë një plumb në këmbë dhe paraprakisht thuhet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshimet e para flasin se dy personat janë futur në banesë me qëllim grabitjen. Sipas policisë, kur burrë dhe grua kanë vënë re praninë e tyre, janë qëlluar me armë zjarri.

Policia tha se po vijon krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën e parë.

Kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Në galeri shikoni pamjet nga vendngjarja. /NOA.al