Transmetuar më 19-01-2020, 23:14

Një çift bashkëshortësh, Petrit Laze 61-vjeç dhe Afërdita Laze 59-vjeçe, mbetën të plagosur me armë zjarri sot në mbrëmje, rreth orës 21:45, brenda banesës së tyre në zonën e Alliasit, Tiranë.

Dyshimet e para flasin se shkak ka qenë grabitja e banesës së tyre nga dy persona, të cilët pas ngjarjes janë shpallur në kërkim.

Petrit Laze ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe është ende në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrje, pasi ka marrë një plumb në bark.

Gruaja e tij ka marrë një plumb në këmbë dhe paraqitet në gjendje më të stabilizuar, raporton noa.al duke cituar policinë lokale.

Çifti, që janë dhe biznesmenë, janë plagosur me armë zjarri në vilën e tyre, në Allias, gjatë përleshjes me dy persona që u futën për t’i grabitur.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe tha sr ka ngritur pika kontrolli për kapjen e dy autorëve.

Vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve, tha policia, ndërsa një grup hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.

Çifti i biznesmenëve janë me origjinë nga Skrapari.

Mësohet se ata kanë disa dyqane në Tiranë që tregtojnë miell dhe bukë. /NOA.al