Transmetuar më 19-01-2020, 23:36

Një çift bashkëshortësh, Petrit Laze 61-vjeç dhe Afërdita Laze 59-vjeçe, mbetën të plagosur me armë zjarri sot në mbrëmje, ngjarje e ndodhur rreth orës 21:45, brenda banesës së tyre në zonën e Alliasit, Tiranë.

Sipas policisë ata janë qëlluar nga dy persona, të cilët besohet se ishin futur brenda vilës së tyre me qëlim grabitjen.

Nga policia janë sekuestruar kamerat e sigurisë, për identifikimin dhe kapjen e e grabitësve.

Dyshohet se ata janë persona të njohur të familjes, pasi kur janë futur në banesë, e njihnin mirë atë.

Dy personat që janë ende në kërkim, kanë qëlluar me armë në momentin që janë pikasur nga çifti i biznesmenëve.

Ngjarja ka ndidhur në prani të vajzës së tyre 17-vjeçare, e cila për fat të mirë iu ka shpëtuar plumbave, ndërsa djali i çiftit nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes.

Pas krimit të rëndë me të cilin familja u përball, Petrit Laze ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe është ende në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje, pasi ka marrë një plumb në bark.

Gruaja e tij ka marrë një plumb në këmbë dhe paraqitet në gjendje më të stabilizuar.

Çifti, që janë edhe biznesmenë, janë plagosur me armë zjarri në vilën e tyre, në Allias, gjatë përleshjes me dy persona që u futën për t’i grabitur, tha policia e cila shtoi se ka ngritur pika kontrolli për kapjen e dy autorëve.

Një grup hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.

Çifti i biznesmenëve janë me origjinë nga Skrapari. /NOA.al