Transmetuar më 20-01-2020, 12:21

Pasi Vetëvendosja i dorëzoi sot presidentit Hashim Thaçi, emrin e Albin Kurtit për postin e kryeministrit, vjen një reagim nga LDK-ja. Kjo e fundit e ka cilësuar veprim të njëanshëm nga ana e Vetëvendosjes, ndërsa thekson se është e hapur për marrëveshje.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në një prononcim për Telegrafin u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta marrë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.

“Arritja e marrëveshjes është në dorën e VV-së. Pavarësisht veprimit të njëanshëm më 26 dhjetor 2019, si dhe letrës së gjatë me cilësime të pavend e të panevojshme që pranuam në javën që shkoi, ne ende mbesim të hapur për marrëveshje. VV-ja duhet të marrë përsipër përgjegjësinë në krijimin e institucioneve të reja sipas kushtetutës”, u shpreh Hoti.

Më më tej ai theksoi se kanë bërë tri kompromise për të arritur marrëveshjen. “Ne kemi shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku. Ne kemi negociuar me ta një program qeverisës për tri javë rresht. Ne kemi bërë tri kompromise për të arritur marrëveshje. Tani është në dorën e tyre”, tha Hoti.

Ndërkohë, lideri i LVV-së, Albin Kurti përmes një video mesazhi tha se sot se ende nuk kanë arritur marrëveshje me LDK-në, por se duhet dhe janë të gatshëm të kthehen në tavolinën e bisedimeve./b.l/noa.al/