Transmetuar më 20-01-2020, 13:47

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si Kryeministër.

Dekreti të cilin e shihni në fotografi, mban firmën e Hashim Thaçit dhe ky vendim vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje i dërgoi një letër Presidentit për të mandatuar Kurtin Kryeministër.

Lajmin e ka dhënë vetë Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se, “Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës".

Pas propozimit nga partia e drejtuar prej tij, Albin Kurti përmes një video-mesazhi tha se edhe pas dorëzimit të emrit për mandatar për Kryeministër ende nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndër të tjera Kurti ka bërë të ditur se janë të gatshëm për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. /a.y/noa.al VV e propozoi si mandatar për kryeministër, Kurti: Ende s’kemi marrëveshje me LDK-në

E mandatoi për krijimin e qeverisë së re, Thaçi: Albin Kurti ta pranojë, ose deklarojë refuzimin