Transmetuar më 22-01-2020, 11:26

Detaje të reja zbardhen nga vrasja e 29-vjeçarit Vilson Tafçiu në zonën e “Astirit” në Tiranë, mbrëmjen e 20 janarit. Autori i dyshuar, të cilit policia i është vënë pas është Noel Dishi nga Dibra e banues në Sukth, i cili ka pasur edhe 2 emra të tjerë.

Mësohet se Dishi ka qenë shok me viktimën dhe kanë qenë bashkë madje edhe në Francë dhe Zvicër.

Bazuar në veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi Noel Dishi, alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke vrarë shtetasin Vilson Tafçiu.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjeçari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.

Më herët Policia ka marrë në pyetje familjarët e autorit të dyshuar në Sukth të cilët kanë thënë se Vilsonin e njihnin si shok të djalit dhe se shkonte shpesh në shtëpinë e tyre.

Po kështu duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor bëhet me dije se familjarët kanë deklaruar se prej më shumë se 2 javësh mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishit ka ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë por motivin e saj nuk e dinë. Prindërit kanë pohuar se me të birin nuk janë takuar që një ditë para se të ndodhte vrasja.

Policia po vijon kontrollet për kapjen e tij dhe po kështu po analizohen telefonatat për të vërtetuar praninë e të dyshuarit në zonën ku ndodhi krimi si edhe lëvizjet e tij./b.l/noa.al/