Transmetuar më 29-01-2020, 20:19

Në drejtimin e trajnerit të ri, Adolfo Sormani, Partizani pas dy humbjeve radhazi në kampionat, tani është edhe me një këmbë jashtë Kupës së Shqipërisë.

Të kuqtë pësuan një humbje turpëruese 3-0 në fushën e Beslidhjes në takimin e parë të raundit të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, duke vënë në rrezik serioz kualifikimin.

Skuadra e Sormanit konfirmoi krizën e thellë të rezultateve e që në stadiumin “Brian Filipi” ngjau më shumë si krize identiteti.

Trajneri mori përsipër përgjegjësinë, duke lënë të kuptohet se një humbje e radhës në kampionat, mund të sjellë dorëheqjen e tij.

Të kuqtë i pësuan të tre golat në pjesën e parë (Bushi 13’, Jovanovic 26’, Fetaj 44’ shënuan për besëlidhjen), duke shfaqur dobësi në qendër të mbrojtjes, ku Boldor rikthehej titullar pas një mungese disajavore për arsye pezullimi.

Edhe aktivizimi i të riut Tedi Cara nuk dha rezultat, ndoshta nga terreni.

Partizani luan me Luftëtarin në fundjavë dhe mungesa e fitores pritet të shoqërohet me masa të ashpra.

Në ndeshjen e kthimit të kuqve u duhet ta përmbysin këtë rezultat negativ me një fitore me 4 gola diferencë.

Ndryshe nga Partizani, Tirana fitoi 1-3 në fushën e Kastriotit, ku golit të Ajazit të vendësve në pjesën e parë iu përgjigjën në të dytën Dunga dhe talenti Muçi me dygolësh.

Bardheblutë tashmë e kanë formalitet ndeshjen e kthimit, por presin me interes nëse në fazën çerekfinale do të përplasen në derbi me Partizanin apo me Besëlidhjen.

Tirana edhe në kampionat ka një ecuri të mirë, teksa pret Teutën këtë javë në stadiumin kombëtar, me shpresë për të marrë kreun, pasi ndodhet vetëm një pika pas Kukësit.

Kukësi nuk toleroi në fushën e Lushnjës, ku fitoi 0-1 me gol të Maliqit, sikurse Teuta praktikisht e siguroi avancimin pas suksesin 1-3 në fushën e Erzenit. Gomez realizoi dygolësh, ndërsa Kallaku e çoi rezultatin në 3-0 para se Rezi të realizonte golin e nderit për shijakasit.

Skënderbeu fitoi pastër 0-2 në transfertë me Besën falë golave të Essien dhe Marës.

Vllaznia-Flamurtari përfundoi në barazim 2-2, duke lënë gjithçka të hapur në takimin e kthimit në Vlorë. Për kuqeblutë shënuan Zogaj dhe Lika, ndërsa Nebihu dhe Ribaj ishin autorët e golave të kuqezinjve.

Fitoi 3-0 edhe Apolonisë me Luftëtarin. Për fierakët shënuan Mehmeti, Zaimaj dhe Zoga.

Nesër luhet ndeshja e fundit e kupës, mes Bylis dhe Laçit.

Ndeshjet e para të 1.8-ve të Kupës së Shqipërisë (sot)

Besëlidhja-Partizani  3-0

Vllaznia-Flamurtari  2-2

Lushnja-Kukësi        0-1

Erzeni-Teuta             1-3

Besa-Skënderbeu   0-2

Kastrioti-Tirana         1-3

Apolonia-Luftëtari    3-0