Burrë me fustan nuseje, ninxha dhe…, del lista e re me emoji
Transmetuar më 01-02-2020, 17:34

Gra me kostum burrash, prindër që ushqejnë fëmijët me qumësht dhe Santa Claus me gjini asnjanëse, këto janë disa nga ikonat e reja “emoji” për vitin 2020, të konfirmuara nga Unicode Consortium, një organizatë jo fitimprurëse që vendos standardet për përputhshmërinë e simboleve që përdoren në komunikimet elektronike.

Vëmendje e shtuar i është dhënë personave që nuk e shohin veten në asnjë prej dy gjinive, duke u caktuar edhe atyre një emoji. Ndryshimet e reja u propozuan nga Google, e cila bashkë me Microsoft dhe Apple zakonisht kanë pjesën më të madhe të simboleve, edhe pse në letër gjithkush mund të propozojë një emoji.

Italianët do të jenë gjithashtu të lumtur pasi është shtuar simboli i dorës me gishtat e bashkuar lart, që përdoret gjerësisht prej tyre, zakonisht i pasuar nga pyetje si “pse?”, “ku?” ose “kush?”.

Në listë janë shtuar edhe emoji të tjerë si maskë me syze dhe mustaqe, ninxha, mamuth dhe zogu dodo. Simbolet e reja, në total 117, do të mund të përdoren duke filluar nga ky vit, kur versioni i ri 13.0 të publikohet.