Transmetuar më 02-02-2020, 19:47

TIRANË, 2 SHKURT 2020 NOA.AL – Me një akt normativ të qeverisë së drejtuar prej tij, kryeministri Edi Rama, pret që brenda këtij viti të arrijë sukses në mbushjen e arkës së shtetit me të ardhura nga njerëz të krimit dhe shtimin e aseteve shtetërore nga i njëjti burim.

Edi Rama tha se duke nisur nga e hëna (4 shkurt), fillon operacioni “Forca e Ligjit” për të zbatuar Ligjin Special për masat pasurore ndaj personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar.

Sipas ligjit të posaçëm me vlefshmëri 11 mujore, komandon në këtë ligj do ta bëjë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili aktualisht është Ardi Veliu. Kurse drejtimin e forcës operacionale, e ka Tonin Vocaj, një zyrtar i lartë me eksperiencë të gjatë në luftën antikrim.

Ligji special siguron marrjen e të gjitha masave të nevojshëm pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda. Për të shpëtuar pasuritë e tyre, nga nesër, ata do të duhet të paraqesin provat e burimit të pasurisë së tyre.

Por pse Rama është kaq i sigurt se ky operacion do të korrë sukses?

E vërteta është se për të ardhur deri këtu, nuk është punuar thjesht dhe vetëm në përgatitjen e trupave të posaçme për këtë operacion. Paralelisht është punuar për përgatitjen e një skedari special ku janë përfshirë shumë elementë kriminalë që kanë vënë pasuri dhe i gëzojnë ato edhe sot.

Policia e Shtetit, ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme për të përgatitur “listën e zezë”. Ekipi që po drejton këtë operacion, ka marrë informacione jo vetëm nga strukturat e Policisë së Shtetit, por edhe në rrugë operative.

Për të plotësuar listën, janë përfshirë informacione edhe të ditura botërisht.

Vetë qytetarët, janë të vetëdijshëm dhe i kanë shpesh në bisedat e tyre të ditës, pasanikë që e kanë vënë lekun me krime të ndryshme dhe i kanë investuar ato në Shqipëri dhe jashtë saj.

E mbushur me kaq shumë informacion, struktura speciale e “Forcës së Ligjit: ka hartuar “listën e zezë” dhe nga nesër, një letër do t’u drejtohet këtyre subjekteve të këtij ligji dhe do t’i kërkohet që brenda 48 orësh të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre.

Fushat ku është shtrirë pasuria kriminale, është e përhapur shumë. Por dominojnë ndërtimet e pallateve, lokalet, si bare, restorante, hotele, struktura të ndryshme turistike kryesisht në zonat bregdetare, por edhe në plot zona të tjera të vendit. E patjetër, kanë ndërtuar për ta, edhe shtëpi e vila luksoze, si dhe kanë blerë plot të tilla. Shtoji këtu dhe morinë e makinave luksoze që qarkullojnë kudo në Shqipëri.

Pasuritë e ardhura nga krimi, po ashtu janë shtrirë edhe në plot shërbime të tjera deri në media. Po ashtu dhe njerëz të botës së krimit, janë të përfshirë në këto shërbime të kontrolluara prej tyre dhe prej pasurive të tyre.

Interesant është fakti se pasuritë e investuara, më së shumti janë përftuar jashtë Shqipërisë, kryesisht në vende si Italia, Greqia e gjetkë. Ato janë mbledhur sidomos në trafiqet e drogave të ndryshme, prostitucionit, trafikut të qenieve njerëzore, etj.

Për vite të tëra, e duke mos ndalur as sot, kriminelët me xhepat plot parâ kanë investuar në biznese nga më të ndryshmet, pa e menduar se do të vinte një ditë si kjo, kur themelet e këtyre bizneseve po tronditen më shumë edhe se nga tërmetet e kohëve të fundit.

Megjithatë, bota e krimit është futur thellë edhe në buxhetin e shtetit, duke marrë plot tenderë dhe prokurime që kanë pastruar ose shtuar paratë e bosëve kriminalë.

Por kush është “asi” në mëngë i kryeministrit, që me këtë operacion mund të korrë një sukses të pashoq?

Për herë të parë në Shqipëri, është pikërisht informaliteti, “thembra e Akilit” të shtetit shqiptar, pika e dobët që e ka përfshirë vendin në këto 3 dekada, që do t’i hyjë në punë suksesshëm operacionit “Forca e Ligjit”.

Pjesa më e madhe e bizneseve dhe pasurive të tjera të paluajtshme të eksponentëve të krimit, janë bazuar pikërisht tek informaliteti. Ndërtimi dhe blerja e pasurive të paluajtshme, është futur në këtë vorbull, si e vetmja mënyrë për të investuar paratë ose për t’i pastruar ato.

Në këto investime kanë kontribuuar me vetëdije edhe institucionet burokrate si bankat, e pa dyshim, strukturat e shtetit nuk i kanë hyrë ndonjëherë punës për të qëmtuar si u bënë gjithë këto investime nga njerëz të cilët nuk kanë firmosur ndonjëherë në bordero shqiptare dhe kanë si “karrierë” të tyre disa hyrje-dalje jashtë vendit, duke ardhur në vendlindje me xhepat plot, por kaq plot sa të shpenzojnë miliarda për bizneset e ngritura.

Sigurisht që deri sot, asnjë institucion shtetëror nuk është marrë me këtë gjë. Edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se kur një shtetas shkon ca muaj apo një vit jashtë vendit dhe kthehet e ndërton pallat që kërkon qindra milionë lekë investime, nuk i ka shkuar në derë ta pyesë se ku i gjeti gjithë këto të holla që e shndërruan në biznesmen.

Tani, duket se këto nuk kanë më rëndësi. Madje të gjitha boshllëqet që shteti la në vite, është momenti i artë që të neutralizohen përmes “Forcës së Ligjit”.

Nëse operacioni bëhet ashtu siç është planifikuar, atëherë brenda vitit që ka nisur, do të çirret maska e shumë “të fortëve” dhe plot të tjerëve të strukur në heshtje, të cilët përmes parave të fituara nga vepra kriminale, kanë bërë investimet e jetës dhe tani po i shijojnë ato.

Nisur nga këto, Rama ishte shumë i sigurt sot teksa u drejtohej përmes medias, eksponentëve të krimit të krimbur në paru drejtohej përmes medias, eksponentëve të krimbur në parâ krimi: “Nëse duan t’i mbajnë ato pasuri që kanë, do të duhet të tregojnë se sa fort kanë punuar tokën, se sa shumë ullinj e portokalle kanë mbledhur, se sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte, se sa shumë janë lodhur e janë stërmunduar në fasoneri, se sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit”.

Disa herë në fjalimin e tij të sotëm, z.Rama i etiketoi pasuritë që pritet të sekuestrohen, si të përftuara nga krime të rënda dhe të lara me gjak njerëzish, mes tyre dhe uniformash policie.

Ndërsa duke treguar se ç’do të bëhet me këto pasuri, ai tha: “Me pasuritë e tyre, ne do të rrisim në radhë të parë rrogat e policisë. Pasuritë e tyre do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tyre, do të rrisim mbështetjen për fëmijët e policëve të vrarë dhe me mjetet e tyre motorike, do të shtojmë kapacitetet motorike të Policisë së Shtetit”.

Gjithsesi, “Forca e Ligjit”, nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një operacion sekuestrosh. Ajo mund të shërbejë fare mirë dhe për reduktimin drastik të krimit, stopimin e planeve kriminale të atyre që i vazhdojnë ose planifikojnë ato dhe vënien e plot prej tyre, në pozitat e fillimit nga e para.

Operacioni, mund të shërbejë seriozisht dhe për uljen e kriminalitetit, sepse ligji special apo “Paketa anti-KÇK” parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit, kufizimin e lëvizjes së këtyre subjekteve jashtë njësisë së tyre administrative, ose siç theksoi sot Rama, “jo të nisen me autokolona makinash luksoze nga ana e anës e të shkojnë të nxjerrin pushkë në plazhet e Himarës e të Dhërmiut mu në mes të sezonit, aty ku mblidhen me mijëra të rinj e me mijëra turistë”.

Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe të familjarëve të tyre në tenderë apo në çdo lloj aktiviteti shtetëror. Ajo po ashtu parashikon heqjen e të gjitha licencave që ata disponojnë.

E gjitha kjo, në letër duket shumë e bukur. Por mund të jetë e prekshme vetëm nëse “Forca e Ligjit” nuk do të jetë selektive dhe as një show i radhës i qeverisë. Ndaj të shpresojmë se qeveria do t’ia arrijë qëllimit që shpalli Rama, “t’ua bëjmë kriminelëve, të parehatshëm atdheun atyre”. /noa.al/