Transmetuar më 02-02-2020, 20:18

OPINION nga Artan Fuga

Përgjegjësia juridike dhe shoqërore e specialistit, sipërmarrësit dhe vendimmarrësit në kohë tërmetesh

Kur flas për përgjegjësi juridike dhe sociale nuk e kam fjalën këtu për çka mund të lidhet me dëme materiale. Kjo është vetëm njera anë. Madje jo më ajo pikantja.

Problemi është përgjegjësia për jetën e njeriut. Dhe jo për jetën e një njeriu individual a të një familjeje të vetme, por për jetën e mijra njerëzve. Për jetët e humbura, të shpëtuara, që mund të shpëtohen, ose që rrezikohen në të ardhmen.

Këtu përgjegjësi kanë katër aktorë sociale: Specialisti në fushën e sizmologjisë, sipërmarrësi që ndërton, pushtetari që ligja e detyron të marrë vendime, si edhe vetë qytetari për jetën e vet.

Kur flitet për tërmetet dhe për dukuri apokaliptike si ky, është ndofta rasti që i ngarkon me përgjegjësi juridike për jetën e njeriut të gjithë ata që kanë detyra lidhur me këtë fushë.

Le t’i marrim çështjet më kryesore me rradhë.

Ka nisur të bëhet si zakon që nëpër media, sa herë ka lëkundje tërmeti, ftojnë sizmologë ose inxhinjerë të afërt me këtë profesion për të folur për to. Unë nuk paragjykoj qëllimet e tyre. Më pas ato. Por, ajo që vihet re se gjykimet e specialistëve shpesh, pas tërmetit të 26 nëntorit, kanë qenë për t’i qetësuar njerëzit. Madje ka pasur edhe të diplomuar në gjeologji, etj. që kanë marrë guximin të flasin : Lëkundjet do të vijnë duke u shuar, energjia e tokës u shterr, këto lëkundje nuk prishin strukturat, është një gjendje postërmeti që vjen duke u zbehur, etj. Këto janë deklarimet.

Krejt të papërgjegjshme!

Të qetësosh opinionin publik është shumë mirë. T’a alarmosh atë me shprehje të kundërta nga ato që përmenda është shumë keq.

Mirëpo nuk është fare këtu problemi. Nëse mediat dhe vetë specialistët, ose ndonjë pushtet prapa tyre, kanë pasur qëllimin e mirë ta qetësojnë opinionin publik pa prova, pa ekspertizën e duhur, pa sigurinë që kërkojnë këto deklarime, atëhere ato krijojnë një rrezikishmëri të lartë për qytetarët.

Prandaj sot në vendet perëndimore kur bie fjala për tërmetet, specialistët dhe ekspertët e fushës nuk dalin kështu nëpër televizione për të deklaruar këtë apo atë, me qëllim që ta qetësojnë qytetarin kur nuk kanë provat e mjaftueshme shkencore për këtë.

Qytetari mund të qetësohet, mund t’i thuhet atij "shkoni flini gjumë!", por nëse ndodh ndonjë katastrofë diku, pastaj kush e mban përsipër fajin e rëndë? Specialisti që flet qesim, media apo kush?

Kush merr përsipër që me deklarimet e tij, me një status profesional që e bën të besueshëm te njerëzit, duke përdorur median, të ketë ndikuar më pas në shkaktimin e dëmeve të mëdha në njerëz.

Unë kam prirjen t’u besoj specialistëve, por gazetari dhe mediat kanë detyrë të mos u japin kamerat dhe mikrofonin cdo njeriu, sado status të lartë profesional që të ketë, nese ai flet pa fakte, pa argumente, pa ekspertizë të verifikuar. Ka pasur raste në Perëndim që janë hapur gjyqe kundër personave që bëjnë deklarime të pambështura në kësi rastesh dhe me të drejtë. Ato rrezikojnë drejtpërdrejt jetët njerëzore. Janë abuzim me besimin publik me pasoja të rënda të mundëshme për sigurinë e jetës të qytetarit.

Pret që këta specilistë të paraqesin ekspertizat e konstatimeve të tyre me shkrim, të paraqesin prova të verifikuara, ndërkohë që dëgjon vetëm teorira të përgjithshme pa asnjë provë konkrete që lidhet me tronditjet e tokës në zonën Tiranë – Durrës, por nuk gjen asgjë?

Si mundet të japin gjykime të pambështura në ekspertiza të firmosura prej tyre?

Sepse fjalë të përgjithshme qetësuese ose alarmuese mund të japin të gjithë. Të dyja llojet e tyre janë të dënueshme juridikisht sepse rrezikojnë jetë njerëzore, nëse nuk kanë sigurinë e ekspertizave formale.

Nuk mund t’i kenë këto ekspertiza sepse dukuritë sizmike janë shumë të vështira për t’u parashikuar??? Atëhere nëse mendohet në këtë mënyrë, e mira është të mos ndihen fare, të mos dalin në media, sepse dalja e tyre është e mundur të sjelli pasoja kriminale. Kjo është arsyeja që në shumë vende perëndimore bëhet kujdes që në kësi rastesh të krijoheN forume ku specialistët dhe autoritetet publike të debatojnë mbarë e mBrapsht, pa praninë e publikut të gjerë, për të arritur në përfundime që vetëm më pas gjykohet nëse duhen ose jo bërë publike.

Ne kështu kemi një problem të rëndë në komunikimin publik sepse nuk menaxhojmë si duhet se ku dhe si duhen bërë debatet për ngjarje të tilla me pasoja vdekjeprurëse për njerëzit, sikurse na ka ndodhur.

Komunikimi publik i paadministruar profesionalisht mund të vrasi njerëz!

Presim të dimë nëse ka pasur ndonjë takim, konferencë a forum nga këshilla shkencore, departamente, institute, dikastere lidhur me vlerësimin e gjendjes sizmike të vendit lidhur me ngjarjet e fundit, por nuk kemi dëgjuar gjë!

Kush do të shprehet për to? Gjeologë dhe sizmologë pensionistë që e kanë kaluar tashmë me dekadë moshën e pensionit? Ata mund të jenë të motivuar fisnikërisht, por shoqëria dhe takspapaguesi kanë paguar punonjës, specialistë, organizma për këto raste, dhe ata nuk e marrin frytin e parave të derdhura!

A kanë këta specialistë që deklarohen në media mbështetjen zyrtare të instituteve, dikastereve, universiteteve, departamenteve apo flasim qesim nga vetja e tyre?

Ku i kanë rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore shumë vjeçare?

Dhe me që ra fjala ne nuk dimë ende nëse këto organe të specializuara kanë marrë një pozicion shkencor të kualifikuar për probabilitetet e evoluimit të gjendjes sizmologjike të vendit apo jo? Nuk u kërkon njeri të thonë orën dhe vendin e tërmetit tjetër, por së paku të tregojnë se cila është gjendja e energjisë sizmike të zonës Tiranë – Durrës në mënyrë prioritare.

Cfarë të presin qytetarët kur deklarohen nga ana e këtyre institucioneve se stacioni sizmik i vendit nuk arriti të rregjistrojë valët sizmike sepse u ndërpre energjia elektrike!!!

Lexuesi mbase nuk e di që kjo është shumë e rëndë sepse nuk ka të bëjë vetëm me humbjen e rregjistrimin të një dukurie të rrezikshme që ndodhi në ato çaste, por edhe me humbjen e një baze shumë gjerë të dhënash informative që do të duheshin për të gjykuar për qendrën e tërmetit, për amplitudën e të gjitha valëve sizmike, për energjinë e valëve sizmike në çdo çast kohe, etj. Pra, edhe për të gjykuar për të ardhmen. Kush e mban përgjegjësinë lidhur me këtë?

Dhe nuk është fjala vetëm për këtë përgjegjësi juridike dhe sociale. Qytetari paguan për sigurinë sizmike, dhe tamam atëhere kur duhet që sistemi të funksionojë, atëhere atij i ndërpritet energjia elektrike?

Ne kemi nevojë që të kemi një rrjet të tërë stacionesh survejimi lëvizjesh sizmike në të gjithë territorin e vendit. A kemi? Sa kemi? Ku i kemi? Cfarë të dhënash kanë ata? Kush i përpunon? Asgjë nuk dimë. Këto të dhëna janë kaq të rëndësishme saqë me saktësinë e analizës të tyre lidhen nesër pasnesër fatet e jetës të njerëzve. Doni një shembull? Sizmologët turq dhe autoritetet turke kanë dekada që ndjekin lëvizjen prej 25 mm në vit të masës shkëmbore në Anatolinë Veriore që shkon drejt Marmarasë. Mos mendoni se pa kaptorët e ndjeshëm të stacioneve të survejimit sizmik do të mund ta realizonin këtë.

Eshtë krejtësisht e pranuar që nëse një tërmet nuk mund të parashikohet nga kushdo, nga ata që nuk kanë mjetet teknike, si edhe nuk mund të parashikohet me saktësinë e një ngjarjeje laboratorike, përsëri me ata që quhen akseleratorë sizmikë mund të kapen sinjale të një vale që afrohet nëse qendra e tërmetit ndodhet ende larg. Në çdo rast, pa pretenduar asgjë, do të thoshim se për këtë së paku nuk duhet të ikin "dritat" atëhere kur ke pikërisht për të bërë detyrën tënde.

Ne ende nuk dimë se cila është baza e të dhënave sizmike që zotëron shteti dhe organizmat publikë që kanë përgjegjësitë për këtë. Por, nuk jemi dy shekuj përpara që të themi "tërmeti bie!!!". Cfarë t’i bëjmë!!! Pra që tërmeti të paraqitetsi njjë tullë që "bie" mbi kokën tënde dhe ti nuk ke çfarë të bësh veçse ta presësh mbi kokë. Jo! Shoqëritë e sotme bëjnë të gjitha investimet për të mos qendruar duarlidhur.

Duket sikur harrohet ajo që është kryesorja. Kanë rëndësi që ndërtimet e reja të bëhen si duhet. Ka rëndësi të strehohen të dëmtuarit. Por pjesa më e madhe e popullsisë do të dijë se cila është gjendja e e banesave ku jeton, ku strehohet.

Kjo është një çështje që ka mbetur në vonesa të mëdha. Qytetari ka nevojë të dijë dhe nuk mund të kënaqet me disa dialogje të ndonjë shtetari me individë familjesh shtëpish në zona rurale para ndonjë gote rakie, ndonjë shisheje fanta, a para ndonjë shurupi thanash!

Bëhet fjalë për të konstatuar gjendjen e ndërtesave pas tërmetit dhe kjo lidhet me përgjegjësinë e jetës së njerëzve. Nuk mund të kalohet kështu lehtazi.

Çfarë u bënë ata 500 gjoja inxhinjerët që do të kontrollonin parkun e banesave???

Që ajo ishte një flluckë sapuni dihej sepse ato ekipe duhet të lëshonin akte ekspertize per rezultatet e arritura. Akte ekspertize që do të duhej të merrnin përgjegjësinë jetës të e dhjetra në mos qindra mijë njerëzve. A ishin ata njerëz të certifikuar, të trajnuar, ligjërisht të autorizuar ta bënin këtë?

Sigurisht që jo.

Ndërkohë që të gjithë njerëzit presin. E gjithë popullata pret. Askush nuk e di sa e ka prishur , sa e ka dëmtuar, sa e ka dobësuar banesën ku ai jeton tërmeti dhe lëkundjet pas tij. Nuk është fjala vetëm te informacioni, por kështu as shteti nuk e di që në rast lëvizjesh të tjera sizmike çfarë rreziqesh ka nëse tërmeti do të jetë 3,4,5 ballë a më shumë apo më pak.

Kështu ne jemi të papërgatitur. Kemi përgjegjësi për jetët e njerëzve. Përgjegjësi juridike të jashtzakonëshme, të frikshme. Po gjendja psikologjike e tyre? Po ekonomia që nuk ka siguri? Po banorët që braktisin territorin? Po shqiptarët që ikin nga atdheu? Po fëmijët që traumatozen për jetë?

Duhet mbledhur mendja, duhen mbledhur forcat. Nuk mund të përballet kjo gjendje as me specialistë që detyrohen të na thonë : "Flini në gjumë vogëlusha!", dhe të nesërmen të gjendemi në Eden, as për menatlitete psikoze paniku, as për gazetarë që nuk kanë etikën e intervistimit dhe përgjegjësinë e asaj që transmetojnë, as për pushtete që mendojnë : sa kam mandat t’a shtyj sa t’a shtyj kështu, pastaj për të ardhmen o i zoti o gomari!

/NOA.al