Transmetuar më 03-02-2020, 22:45

Edhe pse ende nuk ka një kontratë të firmosur, trajneri gjetman Ralf Ragnick me shumë mundësi në sezonin që vjen do të kalojë në Seria A, teksa si objektiv ka rikthimin e Milanit të lavdishëm.

Ralf Rangnick do të bëjë një lëvizje të bujshme te Milan si trajner dhe drejtor sportiv i klubit.

BILD, një nga gazetat më të njohura të Gjermanisë, zbulon se Milan dëshiron me çdo kusht të sjellë Ralf Rangnick në San Siro për sezonin e ardhshëm.

Trajneri 61-vjeçar gjerman raportohet se është objektivi numër një i Milan, jo vetëm për rolin stërvitës, por edhe si përgjegjës për të ristrukturuar të gjithë strukturën tekniko-sportive të klubit Rossoneri dhe pritet të fillojnë një projekt të ri.

Milan fillimisht pati kontakte me Rangnick në dhjetor dhe që vazhdojnë qysh atëherë. Pronarët e Milan Elliot janë të vendosur të marrin trajnerin gjerman, pas suksesit që ai pati me dy klubet në pronësi të Red Bull, RB Leipzig dhe RB Salzburg.

Ralf Rangnick vlerësohet si arkitekti i ngritjes së jashtëzakonshme të të dy klubeve në pronësi të Red Bull. Ai shërbeu si drejtor sportiv në të dy klubet dhe trajner i Leipzig në shumë raste. Rangnick fillimisht bëri emër pasi mori Hoffenheim nga niveli i katërt në Bundesligë duke e ngjitur në majat më të larta. Më vonë ai u emërua gjithashtu trajner i Schalke 04.

Rangnick u tërhoq si trajner i Leipzig verën e kaluar dhe aktualisht punon si shefi i sportit dhe zhvillimit i Red Bull dhe mbikëqyr kryesisht ekipet e Red Bull në New York dhe Sao Paulo, duke ruajtur njëfarë ndikimi prapa skenave të Leipzig./NOA.al