Transmetuar më 04-02-2020, 13:28

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka uruar për detyrën e re homologut të tij në Kosovë Glauk Konjufca. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme të dy ministrat shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dy vendeve.

Cakaj me anë të një postimi në rrjetet sociale nuk ka lënë pa vlerësuar edhe bashkëpunimin dhe kontributin e pamohueshëm për ish-Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për shqiptarët kudo ndodhen.

“Z. Pacolli ka bërë një punë të palodhshme për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës dhe ruajtjes së njohjeve ekzistuese. Për më shumë, ai ka punuar me përkushtim për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona. Në këtë kontekst, mes shumë të tjerash, Pacollit i mbetem tepër mirënjohës edhe për përgjigjen pozitive të kërkesës sonë për t’i siguruar Shqipërisë qasjen në hapësirat e konsullatave të Republikës së Kosovës në Malmo, Dyseldorf, Stuttgard, Hamburg e Toronto.” – u shpreh Cakaj në postimin e tij.

Kreu i diplomacisë shqiptare e mbylli urimin e tij duke nënvizuar faktin se tashmë është koha për thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.