Transmetuar më 04-02-2020, 14:51

Një dollap inteligjent i kompanisë ‘Samsung’, është i destinuar që të sjellë një revolucion të vërtetë në mënyrën se si lajmë dhe thajmë rrobat tona. Jo më në lavatriçe dhe tharëse dhe as hekur hekurosje.

Samsung Electronics prezanton risinë e fundit në pajisjet elektroshtëpiake me emrin AirDresser, ose thënë ndryshe dollapi inteligjent i Samsung.

Bëhet fjalë për disa dollapë të vegjël, të cilët lejojnë që të lahen, thahen dhe hekurosen të gjitha veshjet. Mekanizmi funksionon në sajë të teknologjisë që përdoret në lavatriçe, kondicionerë dhe frigoriferë.

Sipas përshkrimit të markës koreano-jugore, pajisja përdor presionin e lartë dhe temperaturën e nxehtë për të sterilizuar dhe hequr aromën e keqe nga veshjet dhe gjithçka bëhet në heshtje të plotë. Kështu ky dollap inteligjent, na kursen jo vetëm kohë, por edhe paratë dhe ujin, pasi nuk kërkon as detergjent dhe as zbutës.

Në videon që noa.al sjell më poshtë mund të shikoni se si pajisja elektroshtëpiake funksionn në sajë të presionit dhe temperaturës së lartë, ku sterilizon dhe heq aromën e rëndë nga veshjet në heshtje të plotë.

Tharja bëhet me temperaturë të ulët, duke mundësuar largimin e çdo arome. Samsung garanton se kjo pajisje ofron edhe kursim ekonomik, pasi veshjet dëmtohen më pak.

Në dyqanin online në Britaninë e Madhe, Samsung UK, kjo pajisje shitet për 2000 sterlina, ose thënë ndryshe 2368 euro. /a.y/noa.al