Dita e parë si kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani “zëvendëson” Thaçin me Rugovën
Transmetuar më 04-02-2020, 16:39

Vjosa Osmani e ka filluar me ndryshime ditën e saj të parë si Kryetare e re e Kuvendit teksa ka hequr foton e Presidentit aktual Hashim Thaçi për të vendosur atë të Ibrahim Rugovës.

Të paktën kështu tregon fotoja e takimit të parë të saj zyrtar si kryeparlamentare e Kosovës me ambasadorin amerikan Kosnett, por ajo e ka dhënë një shpjegim.  Ajo ka thënë se fotoja e Hashim Thaçit është ende në Kuvend, kurse ka vendosur të ketë foton e Presidentit të partë në histori të Kosovës pasi e inspiron atë.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njoh ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin, fotografia e presidentit është në Kuvend. Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.

Një reagim ka patur edhe nga zyra e Presidencës së Kosovës e cila thotë se nëse është hequr fotoja e Thaçit atëhere është shkelur ligji.

“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për protokollin e shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej t’ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit.

Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së presidentit./b.l/noa.al/