Transmetuar më 06-02-2020, 12:14

Në ArTurbina, Tiranë, u zhvillua dje edicioni i parë i forumit teknologjik ThinkTech. Mbi 250 dëgjues të rinj me ambicie për të qenë sipërmarrës ose kuriozë për inovacionin ishin audienca e këtij forumi.

Erion Isufi, Drejtor Ekzekutiv i Landmark Communication & Technologies, gjithashtu organizatori i ThinkTech dha mesazhin se inovacionin mund ta gjejmë kudo. Sipas tij, Shqipëria ka gjithashtu terren të mirë për të ecur përpara, në rast se ka sipërmarrje inovatore.

Por çfarë është inovacioni? A lidhet ai detyrimisht me teknologjinë? Si mund të jetë një sipërmarrës i suksesshëm në një treg që duket sikur gjithçka është shpikur?

Elvin Guri, Drejtor Ekzekutiv i Empower Capital në Bullgari dhe aksioner i Telekom Albania dha disa përgjigje për këto pyetje.

Sipas tij, “asgjë nuk ka nevojë të shpiket për të qenë inovator. Shumica e elementëve ekzistojnë në ekosistem. Ajo që një sipërmarrës i suksesshëm bën është që të mbledhë bashkë elementët e duhur për të ofruar diçka të re.”

Për të ilustruar idenë e suksesit në treg, mjafton të përmendim telefonat celularë. Njerëzimi ka jetuar më së miri edhe pa to, duke e konsideruar luks edhe posedimin e një telefoni fiks. Megjithatë, ne sot e kemi të vështirë të shkëputemi edhe për pak minuta nga celulari, duke u sjellë sikur celulari ka qenë përjetësisht pjesë e pandashme e jona. Ka ende shumë produkte apo shërbime të domosdoshme që ende nuk janë sjellë në treg dhe që ne nuk ia kemi idenë sa shumë na duhen. Ajo që duhet të bëjnë sipërmarrësit është që të vrojtojnë me kujdes dhe diçka ekzistuese ta çojnë një hap më tej në përmirësim. Ajo që bën diferencën në treg është sa mirë e menaxhon markën, sa mirë sillesh me klientët dhe sa mirë ia del të mos zhgënjesh klientët.

Po të shohim rastet e kompanive shumë të sukesshme si Uber, Alibaba, Netflix, Airbnb, etj. asnjë nga këto ide biznesesh nuk është e re. Secili rast është grumbullim elementësh ekzistues që janë bërë të sukesshëm. A e dinin njerëzit që u nevojitej Uber? Jo, sepse kishin taksitë. Prapë se prapë, sot Uber vlen 63.1 miliardë dollarë.

Sipas sipërmarrësit Elvin Guri, i cili ka themeluar disa kompani të sukesshme nëpër botë që sot numërojnë 7,000 të punësuar, suksesi i vërtetë qëndron tek modeli i biznesit. Inovacion nuk është detyrimisht diçka e lidhur me teknologjinë por nuk është as “shpikja e rrotës”. Inovacion është pikërisht mënyra sesi një sipërmarrës arrin ta komercializojë një produkt apo shërbim.