Transmetuar më 07-02-2020, 20:33

Humbje dramatike e Vllaznisë me Tiranën në Shkodër, edhe pse shkodranët luajtën mjaft mirë, sidomos në pjesën e dytë.

Tirana duket se nuk ka ndërmend të ndalet, për titullin kampion që i mungon prej gati një dekade.

Vllaznia ishte 2-3 herë pranë golit, me sulmuesit e tyre Zogaj e Zhunior, por një gabim i portierit në fund i kushtoi shtrenjtë.

Goli i bardhebluve, i realizuar nga Kobina, duket se shkoi në rrjetë edhe për një gabim të portierit Sherri që nuk grushtoi siç duhej, pasi mund ta evitonte golin.

Sherri duke lënë fushën sapo ka përfunduar sfida ka shpërthyer në lot, aq sa është ngushëlluar nga portieri i dytë, Tedi Laço, por edhe nga Gentian Muça, mbrojtësi i skuadrës së Tiranës.

Pas ndeshjes trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, u përpoq të largonte euforinë.

“Nuk pretendoj për vendin e parë tani, nuk e ndryshoj fjalën time që i marrim ndeshjet një nga një. Vendi i parë nuk vlen asgjë deri në ndeshjen e fundit të kampionatit. Në fund do të shohim nëse kemi marrë gjë e jemi në vendim e parë apo jo”, tha trajneri bardheblu.

“Është ekipi që ka krijuar një identitet të vet, një personalitet e mentalitet se duke fituar shumë ndeshje krijon mentalitet, futemi në çdo ndeshje për të marrë maksimumin”.

“Kjo është strategjia se duhet të vijë në kohën e vet, nuk duhet të nxitojmë, se lojtarët me aftësitë individuale duhet të zgjidhin ndeshjen. I kemi thënë djemve sot të mbajmë 0-0 mbrapa se goli do të vijë, këtë ua kemi thënë edhe çunave se goli do të vijë si në minutën e parë, si në fund”.

“Në pjesën e dytë nuk ka qenë si e kemi menduar, sidomos në 15 minuta e fundit. Katërshja e sulmit ishte ndarë ekipi në 2 pjesë, Vllaznia fitoi mesfushën dhe filluam të konsumohemi më shumë”, u shpreh trajneri i Tiranës, nën drejtimin e të cilit, që pas derbit me Partizanit, bardheblutë njohin vetëm ftore.

Me këtë fitore, pas javës së 21-të Tirana u ngjit në krye me 40 pikë, dy më tepër se Kukësi, që luan nesër me Laçin.

Kategoria Superiore/ Java e 21-të

Sot/ Vllaznia-Tirana 0-1

85′ Kobinah

Vllaznia: Sherri, Gligorov, Adili, Malota (56’ Shehi), Marku, Gurishta, Ramadani, Hygor (84′ Krymi), Lika, Shtubina (68’ Zogaj), Zhunior. Trajner: Mirsad Jonuz

Tirana: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Hoxhallari, Batha(90’+3’ Karabeci), Çelhaka, Torasa, Kobinah (88′ Sidibe), Kale, Ngo. Trajner: Emanuel Egbo

Kartonë të verdhë: Shtubina, Lika, Ramadani, Marku / Hoxhallari, Batha

Gjyqtar: Eldorian Hamiti

/NOA.al