Transmetuar më 09-02-2020, 23:09

Nëse do të gjenit një insekt në hamburgerin tuaj, me siguri që do ta kthenit porosinë. Por, në një restorant në Angli shërbejnë një hamburger me krimba që, sipas stafit, është edhe më i mirë sesa hamburgeri normal.

Sipas restorantit që ndodhet në periferi të Londrës, një hamburger i tillë është një alternativë më ekologjike dhe gjithashtu krimbat janë të pasur me proteina, omega 3 dhe vitamina B12. Gjithashtu, kanë më pak kalori sesa mishi.

Shefja Tiziana Di Costanzo është themeluesja e restorantit dhe në fermën e saj ajo mbarështon krimba dhe bulktha që i përdor në pjatat e saj.

“Sapo të kaloni fazën që ju vjen pështirë nga insektet, do të shikoni se në fakt janë shumë të shijshme”, thotë Tiziana për “Daily Mail”.