Transmetuar më 10-02-2020, 07:39

Ministria e Financave i ka raportuar së fundmi borxhin jashtë bilancit zyrtar i njohur ndryshe si detyrim i fshehur. Këto detyrime për vitin aktual pritet të arrijnë 2,6 për qind të PBB-së e cila korrespondon me një vlerë neto prej 46 miliardë lekësh ose (375,6) milionë euro. Detyrimet e prapambetura parashikohet të rriten këtë vit me rreth 2 miliardë lekë në raport me vitin 2019, ku raportohen rreth 44 miliardë lekë nga Ministria e Financave.

Detyrimet jashtë bilancit nuk janë të përfshira në borxhin publik të vendit, por ato po raportohen në Kuadrin Makroekonomik të Ministrisë së Financave si shoqëruese të tabelave të borxhit publik.

Në raportet tremujore për monitorimin e detyrimeve të prapambetura Ministria e Financave raporton vlera shumë më të ulëta, duke e bërë konfuze shifrën e vërtete të borxheve të fshehura.

Institucione të tjera që monitorojnë ecurinë e këtyre detyrimeve raportojnë shifra të ndryshme. Psh Kontrolli i Lartë i Shtetit pasi ka analizuar ecurinë faktike të buxhetit 2018 ka gjetur se me gjithë detyrimet që rrjedhin nga vendimet gjyqësore ndërkombëtare detyrimet e prapambetura arrijnë në 75.5 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Financave përllogariti për të njëjtin vit 46 miliardë lekë detyrime.

Qeveria e Shqipërisë nuk ka mundur të përmbushë angazhimet e forta që mori në vitin 2013 për të mos krijuara detyrime të fshehura përtej llogarive zyrtare të buxhetit. Madje për këtë qëllim u miratua një strategji e posaçme, ligje, udhëzime dhe rregulla të reja të cilat kishin masa ndëshkuese për entet publike që krijonin detyrime.

Teksa mori 75 miliardë lekë borxhe për të shlyer detyrimet e qeverisë Berisha para 2013, qeveria Rama nuk ka mundur të frenojë këtë fenomen që tashmë është bërë edhe më i mprehte nga aktivizimi i kontratave koncesionare dhe disa masave të tjera si Korporata e Investimeve.

Agjencia e Vlerësimit të Standard & Poor’s (S&P) lajmëroi pak ditë më parë se do të ulë renditjen për borxhin publik të Shqipërisë nga stabël që u vlerësua aktualisht për shkak të materializimit të rreziqeve që mund të vijnë nga aktivizimi i Korporatës së investimeve dhe PPP, të cilat mund të krijojnë detyrim jashtë bilancit fiskal, shkruan ‘monitor’.

S&P vë në dukje se qeveria shqiptare duke krijuar Korporatën e investimeve Strategjike, e cila synon devijimin e një pjesë të shpenzimeve kapitale jashtë administrimit të buxhetit dhe ministrisë së Financave krijon një buxhet dytësor që bëhet shkak për detyrime të reja që rrezikojnë borxhin publik.