Transmetuar më 16-02-2020, 12:41

Policia e Shtetit nxjerr emrat dhe fotografitë e tre personave të shumëkërkuar, të dënuar për vrasje.

Bëhet fjalë për tre të kërkuar të tjerë, të dënuar me nga 25 vite burg, për vrasje, dhe që kanë arritur që ti shpëtojnë drejtësisë për vite me radhë.

Në shënjestrën e Njësisë së Kërkimit të policisë janë vënë Pjetër Pacani, i dënuar me 25 vjet burgim.

Ai akuzohet se në datën 18 janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë, ka vrarë me armë zjarri shtetasit N. Z. dhe V. Gj.

Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 25 vite burg, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

I shumëkëkrkuari i dytë është Jak Gjini, i dënuar me 25 vjet burgim.

Ai akuzohet se në datën 30 gusht 2003, në fshatin Tresh, Lezhë, shtetasi Jak Gjini ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta, shtetasin P. B. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërsa i kërkuari i tretë është Besmir Xhebexhia, i dënuar me 25 vjet burgim.

Në datën 22.07.2000,  Besmir Xhebexhia ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, vëllezërit A. N., dhe R. N., dhe ka plagosur rëndë duke i këputur krahun e djathtë, shtetasin H. N.  Besmir Xhebexhia është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. /a.y/noa.al