Transmetuar më 17-02-2020, 11:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryeparlamentaren Vjosa Osmani bënë sot homazhe dhe vunë kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë më 21 janar 2006.

Kurti vlerësoi se Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë në Kosovën e çliruar.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë, kujtojmë presidentin e parë të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova i cili u zgjodh nga populli.

Ibrahim Rugova po ashtu ishte presidenti i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen institucionale dhe angazhimin politik për liri e pavarësi. U preftë në liri dhe paqe”, tha Kurti.

Kjo ishte hera e parë që Kurti bëri homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Pas kësaj, Kurti dhe Osmani kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi.