Transmetuar më 17-02-2020, 20:29

Një shqiptar është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg, nga një gjykatë britanike për përfshirje në trafik droge.

Mediat angleze raportojnë se Ilir Hysa, 47-vjeç, shofer i papunë, u arrestua nga policia muajin e kaluar teksa po transportonte një sasi droge, me vlerë 2 mijë paund .

Sasinë e lëndës narkotike ai u përpoq ta hidhte kur u ndalua nga policët.

Hysa u shpreh se po merrej me drogë, pasi kishte humbur punën në një lavazh dhe më pas edhe si shofer kamioni.

Shqiptari e pranoi krimin. Avokati mbrojtës John Upton tha se klienti i tij ishte shtetas italo-shqiptar dhe kishte mbërritur në Britani rreth dy vite e gjysmë më parë.

Hysa kishte humbur edhe patentën dhe duhej të kthehej në Itali për ta rinovuar atë. Ai detyrohej të paguante një qera prej 300 paundësh dhe mospërballimi i jetesës e detyroi t’i futej trafikut të drogës.

/NOA.al