Transmetuar më 18-02-2020, 13:30

Autoritetet e ishullit karaibik të Aruba, kanë sekuestruar thuajse një ton flori venezuelian të pastërtisë maksimale, në një avion të mbërritur në ishull.

Bashkë me pilotin në avionin me peshë të lehtë, i cili përdorte sigla amerikano-veriore false, udhëtonin edhe dy pasagjerë.

Rezultoi se avioni ishte ngritur nga një rrugë e izoluar pranë Ciudad Bolivar, në Venezuela.

Pasi realizoi një ulje emergjente këtë të diel në aeroportin ‘Reina Beatriz’ të Aruba, avioni u sekuestrua nga autoritetet e ishullit.

Në total brenda tij u gjetën 932 kilogramë flori venezuelian. Kontrollet në avion u thelluan pasi autoritetet zbuluan siglën e falsifikuar N36754, e cila përkonte me një avion i cili kishte fluturuar 20 vite më parë në California, shkruan noa.al.

Ngarkesa u sekuestrua dhe me vlerë tregu kap 50 milionë dollarë. Ndërsa ekuipazhi që ndodhej brenda u arrestua dhe do të ekstradohet në SHBA, ku do të përballen me akuzat në Miami, të Florida.

Lidhur me origjinën dhe destinacionin e sasisë së madhe të floririt, hetimet janë në vijim. /a.y/noa.al