Transmetuar më 18-02-2020, 15:31

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të kalojë për gjykim çështjen e ish- kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.

Prej katër muajsh Kajmaku është në kërkim por duket se gjyqi do të fillojë edhe pse pa praninë e tij. Prokuroria firmosi urdhër- arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëhere Kajmaku nuk është dukur më.

Ai u denoncua fillimisht nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash. Greqia e shpalli të pafajshëm por ishte e vërtetë që në vitin 2003 ai ishte shpallur në kërkim për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk u kap pasi kishte ikur në Shqipëri.

Por në formularin e dekriminalizimin ai e fshehu këtë rast dhe më pas ai u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut pak muaj pasi e kishte marrë detyrën.

Ai u shpall në kërkim pasi kur KQZ e shkarkoi, ai vijoi të bëjë kryebashkiakun duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn duke zgjedhur Gent Picarin në këtë post, i cili u shkarkua pak ditë më parë.

Në të gjitha seancat në Gjykatë Kajmaku nuk ka qenë i pranishëm por përfaqësohet nga avokati ndërkohë që është në arrati.  Prokuroria e akuzon ish- kryebashkiakun për 3 vepra penale ”Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. ”Falsifikim i dokumentave” dhe ”Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”./b.l/noa.al/