Transmetuar më 19-02-2020, 00:34

Seanca plenare ishte përshpejtuar të hënën për t’i lënë mundësi deputetëve të kishin më shumë kohë për hallet e elektoratit deri në datën 5 mars, kur është seanca e radhës. Mimoza qëndronte jashtë sallës së Kuvendit për të takuar deputetin e zonës, por nuk e takoi atë… as të martën në Kryesinë e Kuvendit.

Zonja 53-vjeçare është në kërkim të një pune prej vitesh për t’u kujdesur për 2 fëmijët e sëmurë. “Djali është sëmurë që nga mosha 12 vjeç, është me diabet, është operuar në kokë. Ndërsa vajza është operuar në gjoks për gjëndra”, tregon Mimoza.

Djali iu diagnostikua me probleme shëndetësore në klasë të 6-të, ndërsa vajzësiu shfaqën gjëndrat 3 vite më pas, teksa ndiqte fakultetin për gjuhë të huaja.

“Çdo 3 muaj bëjmë rezonanca ta mbajmë nën kontroll”.

Gjendja e vështirë ekonomike reflektohet në çdo cep të apartamentit, të cilin familja e Mimozës e ndan me një tjetër familje për të reduktuar shpenzimet për qiranë. “Mbahem me lekët e invaliditetet të djalit”.

E diplomuar për agronomi, 53-vjeçarja thotë se do të ishte e lumtur me një punë si sanitare.

Shkëputjet për t’u përkujdesur për fëmijët në çdo rast kur ata mund të ndihen keq e bëjnë po aq të pafavorshme situatën për t’u punësuar sa dhe mosha e saj. Këtë ia bëjnë të qartë dhe në zyrën e punës. Për Mimozën dhe ashtu dhe bashkëshortin duhen minimalisht 10 vite për të arritur moshën e pensionit. Ai është nisur drejt Sarandës në kërkim të çfarëdolloj pune në resortet turistike që po ndërtohen atje.