Detaje tronditëse/ Para tragjedisë, Valdete Bllaca i dha tezes 12 mijë euro dhe e pyeti sa kushton një varrim
Transmetuar më 19-02-2020, 20:30

Pas tragjedisë familjare në Gjilan, ku një efektive policie vrau dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj dhe më pas veten, dalin dëshmi dhe detaje të reja edhe më tronditëse.

Valdete Bllaca, me profesionin e polices, e kishte paramenduar dhe e kishte përgatitur në përpikmëri skenarin e tragjedisë së djeshme.

Vrasjen e prindërve, dy vëllezërve e më pas edhe vetëvrasjen, Valdete Bllaca e kishte planifikuar së paku një ditë përpara.

Mediat kosovare raportojnë se nga burime të sigurta e të afërta me familjen e polices se dyshohet që së paku një ditë përpara krimit, ajo i kishte dorëzuar te tezja e saj 12 mijë euro.

Në bisedë e sipër, Valdete Bllaca e kishte pyetur tezen se sa do të mund të kushtonte një varrim. Megjithatë, ajo nuk i kishte treguar tezes asnjë detaj se pse po ia linte paratë dhe se ku i kishte marrë ato.

Po aq dramatike ishin edhe lëvizjet dhe sjelljet e fundit të polices Valdete Bllaca përpara se ta vriste babain, nënën, dy vëllezërit e më pas edhe veten.

Personat e fundit që ajo i kishte kontaktuar ishin tezja dhe bashkëshorti i saj. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta para se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, pas vrasjeve të katër familjarëve të saj.

Tezja me bashkëshortin e saj, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdete Bllaca, duke mos i lejuar të hynin brenda. E shqetësuar, Valdete Bllaca mësohet se u kishte thënë atyre se ata (familja) nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë.

Pasi ishin përshëndetur me policen dhe kishin vendosur të largoheshin nga aty, tezja dhe bashkëshorti i saj dëgjuan krismat e dy plumbave që Valdete Bllaca i shkrepi drejt vetes.

Kohët e fundit ajo kishte kaluar probleme të rënda me shëndetin mendor, por askush nuk mund ta besonte se do të merrte jetën e katër familjarëve të saj, e më pas do të vriste edhe veten./NOA.al

Loading...