Transmetuar më 21-02-2020, 20:41

Edhe Greqisë, edhe Kroacisë, si dhe vendeve të tjera më të zhvilluara të rajonit, iu largohen vazhdimisht të rinjtë, por sigurisht jo më të talentuarit dhe më të zotët.

Shqiptarët që shkojnë për të punuar në vende të tjera bëjnë punë kryesisht fizike, të cilat rrisin prodhimin dhe që nuk i përballon fuqia punëtore e këtyre vendeve.

Në Shqipëri  po ndodh një fenomen i çuditshëm. Veç fuqisë punëtore, po largohen gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë e arsimuar, të zotë dhe të talentuar. Kjo besohet se vjen për shkak të politikave të gabuara për t’i inkurajuar dhe motivuar ata.

Shqipëria ka diplomatë, pa asnjë karrierë diplomatike, pedagogë pa asnjë studim shkencor, ekonomistë në administratë pa ekonomi, juristë të pazotë për të plotësuar boshllëqet  e krijuara në sistemin e drejtësisë, dhe inxhinierë të sektorit publik të cilëve iu shemben rrugët (aksi Elbasan Tiranë) dhe ndërtesat (tërmeti). Të punësuarit “e talentuar” duket se iu trashëgojnë vendin fëmijëve apo të afërmeve të tyre dhe i numërojnë “sukseset” njëri-tjetrit, në një kohë kur vendi ynë është i dështuar në të gjitha fushat sa i përket ekspertizës.

Bota intelektuale dhe akademike duket të japë përgjigje: a ka garë në Shqipëri për të provuar se ata që janë në punë të rëndësishme dhe më përgjegjësi më të mëdha, kanë ndonjë meritë?

Sot u dha lajmi se një doganier u kap me drogë dhe armë, në vendin tonë. Pra, pavarësisht se cila ështe merita e tij për vendin e punës që mbante,  duket se nuk mjafton, as niveli i korrrupsionit, në këtë sektor të dalluar.

Por Shqipëria, si të mos mjaftojë problemi i trashëguar me intelektin, tani po mbetet edhe pa fuqi punëtore.

Përballë sfidës së stafit të mangët, që ka sjellë uljen e prodhimit, kompanitë shqiptare janë vënë përpara zgjedhjes se punësimit të të huajve.

Por ky fenomen ne Shqipëri nuk vjen si pasojë e tërmetit në fushën e ndërtimit, sipas agjencive të punësimit, por ka nisur që në 2015 me punësimin e stafit të huaj në sektorin e IT, mjekësisë, peshkimit apo fasonerisë.

Stafi që sjellim vijnë kryesisht nga vende të pazhvilluara, të varfra dhe sistemi I pagave që kemi ne është tërheqës për ta. Nuk rekrutojmë nga vende që janë në konflikte lufte, por nga vende që kanë ekonomi të dobët siç është Afrika, Sri Lanka, Bangladeshi.

“Ata vijnë me paga 300-400 dollarë neto . Absolutisht që në Shqipëri nuk janë shumë por për një shtetas nga Nigeria dhe 100 dollar është shumë, jo më 400 dollarë”, shprehet Flamur Jauri.

IZU DHE KANATH janë dy djem nga Nigeria, të cilët kanë ardhur për të punuar në Shqipëri.

“U bënë 10 ditë që jam në Tiranë. Erdha nëpërmjet agjencisë europiane për të punuar në një kompani anijesh, por për momentin po pres të marr lejen e qëndrimit. Ky është udhëtimi im i parë jashtë Nigerisë, dhe vë re një ndryshim të madh. Të gjithë duan të largohen për një jetë më të mirë, dhe unë besoj se jam me fat”.

“Varet kur do të marr lejen e qëndrimit për të nisur punën, por jam gati për të punuar çdo lloj pune, çfarë do që më kërkohet. Më duket një qytet shumë i këndshëm. Këto pak ditë që ndodhem këtu ndihem shumë mirë, mund të lëviz lirisht. Askush nuk të bezdis, nuk jeni racista”.

Me ndryshimin e ligjit për të huajt, është lehtësuar procedura për marrjen e vizës dhe e përshpejton procesin e punësimit dhe koston, gjithashtu.

Pra, çdo gjë duket sikur po shkon mirë. Por në fakt, në vend të politikave dhe vizionit për të hapur tregun e punës për njerëz të kualifikuar, të cilët mund të sjellin ide dhe zhvillim, në vend që të mbrohen punonjësit, Shqipëria po i hap dyert botës së tretë për të t’i shpëtuar falimentit.

Nuk ka asnjë studim që të tregojë se kjo lloj përvoje, a është e duhura për të ardhmen e kombit. Por nëse punëtorët që vijnë nga vendet afrikane, pas një përvojë një apo dy vjeçare largohen për në vendet e tjera të BE-së, ashtu si shqiptarët, cili do të ishte përfundimi?

/NOA.al