Transmetuar më 21-02-2020, 22:05

Për sëmundje të rënda dhe probleme të tjera fizike, shpesh shqiptarët jashtë mundësve financiare, për shkak të mungesës së teknologjisë apo edhe të mjekëve specialistë në vendin e tyre, duhet të paguajnë miliona lekë në klinikat e specializuara jashtë vendit.

Por në vendin tonë pretendohet se ka mjekë me 13 diploma, të cilët për 5 mijë euro bëjnë edhe mrekullira: me një të prekur lënë gratë shtatzëna.

Një qytetar nga Tirana, Andrea Pepkolaj, pretendon se zgjidh problemet shëndetësore e sociale të njerëzve, duke u lutur e kryer rituale kundrejt pagesave.

Gazetarja e Fiks fare kontakton me “shëruesin” popullor, siç e prezanton ai veten, nëpërmjet numrit të telefonit që ka shënuar në kartëvizitën që u shpërndan njerëzve nëpër kryeqytet.

Pas telefonatës, “shëruesi” popullor lë takim me gazetaren në një lokal, por ai kishte vetëm një kërkesë, të mos përmendje Jezus e Allah, por vetëm besim te Perëndia.

Gazetarja e Fiksit u takua me mjekun ne kafe, ku i kërkoi ndihme për një problem shëndetësor, sinozitin.

Mjeku pretendon se për 20 minuta e hiqte sinozitin, duke prekur njërin gisht të dorës së pacientes dhe duke e shoqëruar me lutje. Ai thoshte se sinoziti është një hije që pengon qarkullimin e gjakut dhe se me prekjen e tij, sëmundja largohet pa u mjekuar.

Bashkëpunëtorja e Fiksit i tregon se prej 7 vitesh nuk mund të bëjë fëmijë.

Mjeku pranon ta ndihmojë, merr përsipër që t’i zgjidhë problemin, por jo me mjekime popullore dhe as medikamente të tjera. Zgjidhja ishte e thjeshtë: duhet ta paguash “shëruesin” 5 mijë euro dhe pas 9 muajsh do të sillje në jetë një fëmijë, madje të përcaktonte edhe gjininë e fëmijës, vajzë.

Ai pretendonte se zotëronte 13 diploma dhe se bashkëpunonte me disa “shërues” të tjerë, të cilët bashkoheshin dhe luteshin në mënyrë të pandërprerë. /NOA.al