Transmetuar më 22-02-2020, 11:18

Pas vdekjes së dy personave në Itali të infektuar me koronavirus, Porti i Durrësit ka shtuar masat për kontroll. Mësohet se është rritur gatishmëria për kontrollin e pasagjereve dhe marinarëve të huaj.

Vetëm këtë fundjavë me 2 tragetet e Barit kanë hyrë në Shqipëri rreth 446 pasagjerë. Sipas mjekut përgjegjës të karantinës së portit, Indrit Kalaja,  ndaj tyre është ushtruar kontroll dhe  kanë rezultuar pa probleme shëndetësore dhe nuk ka pasur me origjine nga vatrat e infektuara.

Po ashtu po mbahen nën vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare tregtare, të cilët nuk vijnë nga portet kineze. Muajt e fundit thekson dr. Kalaja në port kanë hyrë anije që vijnë kryesisht nga portet e Detit të Zi.

Kujtojmë se ka shkuar në dy numri i viktimave nga koronavirusi në Itali. Pas një 78-vjeçari, i cili ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spitalin Schiavonia në Monselice, në provincën e Padovës një tjetër viktimë u shënua mëngjesin e kësaj të shtune.

Mediat italiane raportojnë se viktima e parë është Adriano Trevisan, babai ish-kryetarit të Bashkisë, i cili prej 10 ditësh ishte qëndroi nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa viktima e dytë është një grua. Mësohet se në spital ndodhet i shtruar dhe një tjetër banor i të njëjtës zonë, që i përket bashkisë së Cinto Euganeo.

Deri më tani, koronavirusi u ka marrë jetën 2360 personave në të gjithë botën, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar në mbi 78 mijë njerëz./b.l/noa.al/