Transmetuar më 22-02-2020, 15:06

Moderatorja shqiptare Elena Duro ka folur rreth jetës profesionale dhe asaj private duke zbuluar të reja dhe duke treguar historinë e dashurisë me partnerin.

Elena është martuar në vitin 2017 me Lorenc Gogën dhe dyshja kanë një djalë 2 vjeçar të quajtur Tomas. Moderatorja ka treguar se njohja me bashkëshortin mund të konsiderohet dashuri me shikim të parë dhe se gjërat mes tyre kanë rrjedhur natyrshëm.

“Ne takohemi në prill të vitit 2015 sepse unë do i prezantoja Lorencit një shokun tim dhe ata me punë biznesi do vazhdonin punët e tyre. Unë lë shokun në tavolinë dhe largohem. Më saktë Olti Curri, mikun tim, e prezantoj me Lorencin përmes një shoqes sonë dhe largohem me idenë që ju vazhdoni tani sepse unë kam punët e mia. Që nga ajo kohë, Lorenci më kishte ndjekur në rrjetet sociale, like, komente, por mendoja si një nga ndjekësit që ne kemi të shumtë në rrjetet tona sociale. Pas një viti ne takohemi sërish, gati-gati në po të njëjtën ditë, në orët e para të mëngjesit, në një lokal nate ku të dy ishim në qejfin tonë, pasi kishim konsumuar edhe pak gota alkooli. Unë i prezantohem dhe më thotë të njoh sot, një vit më parë, të ndjek dhe në rrjetet sociale”, ka treguar ajo.

Po ashtu Elona ka rrëfyer këtë të premte tek ‘Rudfina’ se pas takimeve të para, ka nisur bashkëjetesën me Lorencin.

“Që pas asaj nate, u takuam për një ‘first date’ zyrtarisht dhe madje e tregon dhe Lorenci me të qeshur, se pas takimit të parë dhe të dytë, kështu në darkë ose një gotë verë, më tha mua: Hajde qëndro nga mua se unë jetoj vetëm. Edhe unë jetoja vetëm në atë kohë dhe Lorenci thotë nuk e harroj asnjëherë, ti more valixhen dhe nuk ike më. Dhe realisht që pas takimeve të para, ne filuam bashkëjetesën dhe po kështu natyrshëm erdhi dhe fejesa, ceremonia e martesës dhe djali Tomas. Erdhën gjërat shumë natyrshëm dhe si fryt i dashurisë tonë, që ndoshta mund të konsiderohet si dashuri me shikim të parë”, u shpreh ajo.