Turqia goditet sërish nga një tërmet i fuqishëm, raportohet për 7 viktima
Transmetuar më 23-02-2020, 10:43

Një tërmet me mangitudë 5.7 të shkallës Rihter ka goditur kufirin e Turqisë me Iranin në mëngjesin e së dielës.

Si pasojë, kanë ndërruar jetë 7 persona dhe të tjerë kanë mbetur nën rrënoja. Ministri i Brendshëm i Turqisë tha se kanë mbërritur ekipet e kërkim-shpëtimit në fshatrat e prekur.

Tre prej viktimave ishin fëmijë dhe katër të tjerë ishin të rritur, tha ministri Suleyman Soylu. Ai shtoi se nga lëkundjet e fuqishme ishin goditu 1066 ndërtesa.

Sipas EMSC, lëkundja e tërmetit ishte me thellësi deri në 5 km. Tërmeti ndodhi rreth orës 08:53 dhe epiqendra ishte qyteti Hoy i Iranit. Tërmeti u ndje rëndë në rrethin Yüksekova të Hakkarit, 4.75 kilometra nga epiqendra.

Autoritetet iraniane thanë se lëkundjet u ndjenë, por nuk ka patur raporte për viktima.

Ndërkohë Turqia është goditur nga disa tërmete gjatë kohëve të fundit, ku më i forti ishte ai i 25 janarit me magnitudë 6.8 që mori jetën e 41 personave.

Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit kanë muaj që lëkunden nga tërmetet, ku më tragjiku ishte ai i 26 nëntorit 2019, në vendin tonë që mori jetën e 51 personave dhe la qindra të tjerë të plagosur./a.m/noa.al

Loading...