Transmetuar më 23-02-2020, 22:27

Qeveria e Rumanisë njoftoi të dielën se ka vendosur që të fusë në karantinë 14 ditore, të gjithë qytetarët e këtij vendi të cilët kthehen nga rajonet e Italisë të prekura nga koronavirusi.

Vendimin e shpalli ministria e Shëndetësisë së Rumanisë. Ajo tha se kjo masë drastike vjen pasi 12 qytete në Itali janë futur në izolim, 3 persona kanë vdekur dhe mbi 150 të tjerë janë prekur nga koronavirusi në disa rajone që përfshijnë më shumë se gjysmën e Italisë.

Komuniteti më i madh i rumunëve që emigrojnë jashtë vendit, është në Itali. Tani, nëse ata lëvizin drejt këtij vendi dhe kthehen në Rumani, duhet t’i nënshtrohen karantinës dyjavore.

“Rumania është shumë e ekspozuar nga koronavirusi për shkak të fluksit të lëvizjeve nga ajri me avionë dhe nga toa me automjete, të qytetarëve rumunë. Ndaj ata që udhëtojnë në rajonet e Italisë, të prekura nga koronavirusi, do t’i nënshtrohen karantinës 14 ditore”, thuhet në një komunikatë të ministrisë së Shëndetësisë së Rumanisë, raporton noa.al duke cituar Romanian Journal.

Urdhri përfshin jo vetëm ata që kthehen nga sot në Rumani, nga Italia, por edhe ata shtetas që janë kthyer 10 ditët e fundit në këtë vend, pasi kanë udhëtuar në Itali. Sipas urdhrit, ata duhet të paraqiten në spitale dhe qendra mjekësore për t’iu nënshtruar kontrolleve të detyruara dhe njoftimi i tyre do të bëhet nëse nuk paraqiten vullnetarisht, përmes listave që disponohen nga sistemi kufitar.

Më herët sot, edhe autoritetet në Tajvan u kërkuan publikisht qytetarëve të tyre të bëjnë kujdes nëse udhëtojnë drejt Italisë dhe njoftuan masa ekstreme të karantinës jo më pak se 14 ditore për këta udhëtarë, për të kuptuar nëse janë prekur nga virusi vdekjeprurës, Covid-19.

Kjo karantinë sikurse raporton noa.al, bëhet pasi sipas të dhënave, koronavirusi bartet dhe mund të japë efektet e tij deri në 14 ditë nga momenti i prekjes. Kjo do të thotë se nëse një qytetar futet në vendin amë, fjala vjen më 23 shkurt dhe ka qëndruar në Itali 3 ditë, llogaritet dita e fundit e qëndrimit plus 14 ditë pas mbërritjes, si masë drastike parandaluese për përhapjen e virusit.

Vendimi erdhi pasi në Itali janë konfirmuar deri të dielën pasdite 155 persona të prekur nga koronavirusi, në Lombardi, Veneto, Emilia Romagna, Lazio dhe Piemonte. Tre persona kanë vdekur. Sakaq, mbi 50 mijë njerëz janë vënë nën izolim shtetëror në banesat e tyre kryesisht përreth Milanos.

Deri tani nuk ka njoftime zyrtare nga autoritetet shqiptare për masa të ngjashme si ato të Tajvanit. Nga deti dhe ajri, janë rreth 20 avionë dhe tragetë që lëvizin çdo ditë për në Itali, nga Rinasi, Durrësi dhe Vlora. Më së shumti avionët udhëtojnë pikërisht në zonat e prekura nga koronavirusi, kurse tragetët, në Bari, Brindizi dhe Trieste. /noa.al/