“Shumë raste me koronavirus në Shqipëri”, reagon vajza që përhapi panik në të gjithë vendin
Transmetuar më 24-02-2020, 11:20

Audio mesazhi i një vajze që thoshte se ka shumë raste me koronavirus në Shqipëri është bërë virale në rrjete sociale. Pasi u shpërnda me shpejtësi nëpërmjet rrjetit social Whatsapp, krijoi panik tek qytetarët,

Vajza i ka kërkuar shoqeve të saj që të fshijnë audion dhe i thotë se është thirrur në polici për përhapje të lajmeve të rreme.

“Goca kjo audio është e imja. E kam nisur te grupi i punës para pak orësh dhe ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni. Të gjithë njerëzve që ua keni dërguar thuajini fshijeni se unë nesër kam për të shkuar në polici dhe kam për të dhënë deklaratë gjasme për lajme fake.  Të lutem kushdo që e merr këtë audio, ti thonë që ta fshini dhe mos ta shpërndajë më se është bërë problem shumë i madh. Ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni”, thotë vajza, sipas TCH.

Ndërkohë në audion e parë vajza thoshte:

“Goca, se po më shkruante motra tani. Vjehrra e motrës time është mjeke në spital dhe na mori në telefon dhe na ka thënë që janë konfirmuar shumë raste me koronavirus në Shqipëri, kështu që evitoni kafet e mbyllura ku ka shumë njerëz, autobusat, përdorni higjienizues, mos i takoni njerëzit, thojuni “mirëmëngjes” “mirëdita”, por mos u jepni duart që të keni kontakt me frymëmarrjen. Pini lëng portokalli se forcon imunitetin se kush ka imunitetin e dobët më i rreziku dhe çështja është se do përhapet në masë, se nuk kemi as kushtet e duhura për t’i mbajtur në karantinë të infektuarit tha ajo. Nuk është për të përhapur panik, por bëni kujdes me këto gjërat kështu. Mbani gjithmonë higjienizues me vete, lani duart sa më shpesh, nëse hipni në autobusa shpesh merrni maska se nuk i dihet. Nuk është bërë akoma publike se nuk e lejon shteti domethënë mbi 12 raste vetëm javën e fundit”.

Për këtë reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë duke thënë se informacioni është i rremë./a.m/noa.al

Loading...