Transmetuar më 24-02-2020, 20:49

Shkolla private “Udha e Shkronjave” ka njoftuar se do të rinisë mësimin ditën e nesërme, pak orë pasi ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha se i ka hequr licensen kësaj shkolle.

Ministrja tha se ia hoqi licencën sepse kjo shkollë vendosi ditën e djeshme të qëndronte dy javë pushim, për shkak të koronavirusit.

“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën. Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë”, shkroi Besa Shahni paraditen e sotme në Facebook, mbi vendimin.

Në një reagim publik, shkolla që drejtohet nga Artur Shkurti, e quan vendimin e ministres si dhunim që i është bërë këtij institucioni arsimor.

Deklarata e shkollës në përgjigje të Shahinit:

NJOFTIM PËR PRINDËRIT E SHKOLLËS “UDHA E SHKRONJAVE”

Për shkak të dhunimit tepër të rëndë të Ministrisë së Arsimit që, në debat për masat e arsyeshme në dobi të shëndetit të nxënësve, të marrë nga ana jonë në konsultim me prindërit, me 100% të prindërve, në përputhje me çfarë udhëzon OBSH-ja, përdor si mjet kërcënimin mbylljen e shkollës, jemi të detyruar të anullojmë vendimin tonë dhe nesër të fillojmë përsëri mësimin në shkollë. Zoti na ruajtë ne si komunitet i shkollës “Udha e shkronjave” (nxënës, prindër, mësues, staf ndihmës).

Pasojat e veprimeve të Ministrisë së Arsimit me këtë që na bënë ne janë tepër të rënda për sistemin arsimor dhe për sigurinë e shëndetit të nxënësve dhe për transparencën. Ato rëndë do të ndikojnë psikologjinë e çdo drejtuesi dhe mësuesi, dhe jo vetëm në sistemin arsimor, duke ia mpirë atij trurin dhe duke e bërë një robot (vartës automatik) të Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë. Midis SHËNDETIT dhe ANTIPANIKUT ministria zgjodhi fushatën antipanik, që është një fushatë kaq evazive dhe diabolike. Ne qartësisht zgjodhëm SHËNDETIN. Deviza “SIGURIA E PARA” nuk ka më kuptim. Tani do të kemi devizën “Ministria e para”, “qeveria e para”.

Të kujdesesh për një shoqëri është një detyrë e vështirë dhe ka nevojë që secili të bëjë mirë punën e vet. Ne këtë ishim duke bërë. Asnjë ligj nuk shkelëm dhe Ministria rëndë abuzon me termin “mbyllje” se ne nuk e kemi mbyllur shkollën si institucion. Ne jemi të hapur dhe në aksion për ruajtjen e shëndetit dhe mësimit etj. Të kujdesesh për shëndetin do të thotë se je më shumë se hapur, se ke hapur sytë, veshët, zemrën, mendjen dhe i hapëm më shumë se të tjerët. Ata duan t’i kesh të mbyllur këto e të hapësh shkollën.

/NOA.al