Transmetuar më 25-02-2020, 00:03

Deri më tani ka shtatë viktima të koronavirusit në Itali. Ata ishin mjaft të moshuar, por edhe me "patologji të mëparshme".

"Të gjithë të ndjerit kanë pasur sëmundje të mëparshme".

Këtë e konfirmoi shefi i emergjencës së koronavirusit në Itali, Angelo Borrelli, kur bëri të njohur viktimën e gjashtë në këtë vend.

Virusi i njohur ndryshe edhe si Covid-19, duket se është fatal për pacientët me sëmundje të mëparshme.

Koronavirusi i ri ka përkeqësuar kushtet e pacientëve me sëmundje të mëparshme, sipas studimeve të mjekëve në Itali, të cilët ishin më herët edhe në situata të kompromentuara me shëndetin.

Sipas Corriere della Sera, viktimat në Itali janë në përputhje me studimet për rastet kineze të kryera deri më sot, të cilat tregojnë se si rreziku i vdekjes rritet me rritjen e moshës së pacientit. Në fakt, sipas hulumtimeve të kryera nga Qendra Kineze për kontrollin e sëmundjeve, rreziku i vdekjes arrin 14.8% për pacientët mbi 80 vjeç, ndërsa ndalet në 0.2% për pacientët deri në 40 vjeç.

Përveç kësaj, nuk ka vdekje të regjistruara për fëmijë nën 10 vjeç. Por mundësia që virusi të jetë vdekjeprurës rritet gjithashtu me fillimin e patologjive të tjera.

Në fakt, probabiliteti i vdekjes rritet në 10.5% nëse personi që kontrakton virusin gjithashtu ka çrregullime kardiovaskulare, në 7.3% nëse ai është me diabet dhe në 6.3% nëse ai tashmë ka sëmundje kronike të frymëmarrjes.

Përveç kësaj, hipertensioni rrit rrezikun e vdekshmërisë në 6% dhe kanceri në 5.6%. Nga ana tjetër, për ata që nuk kanë patologji të mëparshme, rreziku i vdekjes në rastin e koronavirusit bie në 0.9%.

Edhe rastet e vdekjes në Itali duket se konfirmojnë këtë prirje. Në fakt, viktima e parë që vdiq nga Covid-19 ishte një pacient 78-vjeçar nga Venecia.  Ai ishte shtruar në spital për 10 ditë, për patologji të ndryshme.

Personi i dytë që vdiq në Itali ishte, një grua 75-vjeçare që kishte shkuar në spitalin Codogno për një krizë të frymëmarrjes, por që vuante nga sëmundje të tjera. Viktima e tretë ishte një grua 68-vjeçare që vdiq dje, por u pranua në departamentin e onkologjisë që më 18 shkurt dhe testoi pozitive për koronavirusin, pas vdekjes.

E njëjta gjë vlen edhe për tre viktimat e fundit, të bëra të njohura sot: një burrë 78-vjeçar me sëmundje të tjera, një 88 vjeçare, kushtet e mëparshme shëndetësore të të cilës nuk dihen ende, si dhe një 80-vjeçar i shtruar po ashtu më herët në spital.

Sot në mbrëmje mbërriti edhe konfirmimi i një viktime të shtatë: një 62-vjeçar, i cili, sipas raporteve, ishte "i dializuar me sëmundje kronike". Për momentin, nëse bazohemi në informacionet e njohura deri më tani, në Itali kanë vdekur të moshuar dhe me patologji të mëparshme.

/NOA.al